BE paketë ndihme për Ukrainën, 18 miliardë euro për forcimin e institucioneve dhe rindërtim

Bashkimi Europian ka propozuar një tjetër paketë ndihme për Ukrainën. Paketa makro-financiare për financimin e Ukrainës në vitin 2023 ka një total prej 18 miliardë € e propozuar nga Komisioni Evropian dhe ofron “fleksibilitet të lartë dhe kushte shumë të favorshme për Ukrainën, duke marrë parasysh situatën aktuale të vendit.” Fondet do të disbursohen nëpërmjet kredive shumë të subvencionuara, për t’u shlyer për një periudhë maksimale prej 35 vjetësh, duke filluar nga viti 2033. Në një shprehje të mëtejshme solidariteti, BE-ja propozon gjithashtu mbulimin e kostove të normave të interesit të Ukrainës, përmes pagesave të mëtejshme të synuara nga shtetet anëtare në buxhetin e BE-së.

“BE vazhdon të qëndrojë në solidaritet me Ukrainën.Ne propozojmë një paketë mbështetjeje prej 18 miliardë eurosh për vitin 2023. Financimi në këste të rregullta për të ndihmuar rimëkëmbjen afatshkurtër dhe forcimin e institucioneve. Përgatitja e terrenit për një rindërtim të Ukrainës që përparon në rrugën drejt BE-së”, shkruan në Twitter presidentja e KE, Ursula von der Leyen.


Shtuar 9.11.2022 16:23