Sëmundja e Diabetit nuk po kursen fëmijët. Në vitet e fundit është konstatuar ulja e moshës së pacientëve të prekur nga 5-11 në 0-5 vjeç. Mjekët pediatër fajësojnë kequshqimin, si edhe theksojnë kujdesin që duhet të tregojnë prindërit dhe mjekët e familjes.
Diabeti nuk është më problem vetëm i moshave të mëdha. Sëmundja po haset gjithmonë e më shpesh në moshat e vogla, duke u kthyer në shqetësim serioz për prindërit. Mjekët endrokrinologë informojnë se në 5-vjeçarin e fundit ka shtim të numrit të fëmijëve që paraqiten në dyert e Pediatrisë me simptomat e Diabetit. Faktorët janë të ndryshëm. Midis tyre mund të dallojmë trashëgiminë, kequshqyerjen dhe mungesën e aktivitetit fizik. Nëse bëjmë një analizë me 5-vjeçarin e fundit, vihet re dyfishimi i rasteve që vuajnë nga kjo sëmundje. Ajo që është më shqetësuese është konstatimi se diabeti po sulmon fëmijët nën moshën 5 vjeç.
Prindërit si përgjegjësit kryesorë në identifikimin dhe mbarëvajtjen e kontrollit të diabetit tek fëmijët e tyre. Një prind duhet ta kuptojë kur diçka nuk shkon siç duhet me fëmijën e tij. Një karakteristikë që mund të tërheqë vëmendjen tek fëmijët në fillim të sëmundjes është urinimi natën në shtrat pa e kuptuar.
Fëmija me diabet ha shumë dhe nuk ngopet, ndërkohë pesha e trupit bie. Në shumë vende të botës, 30 për qind e rasteve shkojnë në gjendje kronike dhe 70 për qind marrin mjekimin vetë në spital, pasi hemoglobina e glukozuar tregon që është në nivel shumë të lartë.
Kategoria më e prekur e diabetit
Përveçse trashëgimisë, ata që rrezikohen më shumë nga sëmundja e diabetit janë fëmijët mbipeshë. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit, rreth 10 për qind e fëmijëve, rezultojnë të jenë obezë si dhe janë kontigjent për t’u prekur sëmundja e Diabetit. Lidhja midis obezitetit dhe diabetit, shpjegohet me bazën gjenetike si edhe me kequshqyerjen. Diabeti te fëmijët shfaqet gjatë kohës së shtatzënisë. Fillimisht te nënat. Në 50 për qind të rasteve ndodh që nënat e transmetojnë edhe te fëmijët.