Tirana mirëpret sot Ministerialin BE-Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, që organizohet nga Çekia si vendi që mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian.
Tema e forumit do të jetë se si të punohet së bashku në fushën e drejtësisë, migracionit dhe sigurisë.
Komisionerja Evropiane për Punët e Brendshme Ylva Johansson ( Ilva Johanson) do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Brendshëm dhe komisioneri për drejtësi Didier Reynders (Didje Reinders) do të marrë pjesë në takimin e ministrave të drejtësisë.
Tema e parë në seksionin e punëve të brendshme do të jenë çështjet e sigurisë në lidhje me luftën në Ukrainë dhe Johansson do të informojë ministrat e brendshëm mbi zhvillimet më të fundit në migracionin, azilin dhe menaxhimin e kufirit.
Johansson propozoi një qasje të përbashkët ndaj migrimit gjatë takimit të Procesit të Berlinit më 20 Tetor.
Në takime do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Europol, Frontex dhe Agjencisë së BE-së për Azilin.
Punimet e ministerialit do të nisin në orën 13:30 në Pallatin e Kongreseve. Pas takimit me dyer të mbyllura do të ketë një konferencë për mediat në orën 17:30 të Komisioneres Johansson, ministrit Çuçi dhe homologut çek, Rakusan. Në ditën e dytë, ministeriali do të fokusohet tek çështjet që lidhen me drejtësinë.
Sipas njoftimeve, do të diskutohet edhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për situatën në vendet e Ballkanit Perëndimor lidhur me ndjekjen penale në këtë fushë.