Në Sarandë, 37-vjeçari Besmir Uka u plagos disa ditë me parë me thikë nga Ermir Shabanaj. Gjithashtu është ndaluar dhe një tjetër shtetas, që dyshohet se ka ndihmuar Shabanajn për t’u fshehur pas ngjarjes dhe se po përgatiste kushtet për ta larguar nga qyteti.
Njoftimi i policisë:
Sarandë/Plagosi me mjet prerës, një 37-vjeçar, kapet dhe vihet në pranga.
Arrestohet dhe një shtetas tjetër që dyshohet se ka ndihmuar autorin e ngjarjes, për t’u fshehur.
Pas një pune të mirëfilltë hetimore, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i plotë i ngjarjes së ndodhur më datë 21.10.2022, në lagjen nr. 3, ku mbeti i plagosur me mjet prerës, shtetasi B. U., 37 vjeç.
Si rezultat i punës hetimore, bazuar dhe në inteligjencën operative, në lagjen nr. 4, Sarandë, u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit:
-E. Sh., 37 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se më datë 21.10.2022, në lagjen nr. 3, Sarandë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin B. U., 37 vjeç, i cili ndodhet në spital.
Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë është bërë edhe ndalimi i shtetasit E. M., 42 vjeç, banues në Selenicë, Vlorë, pasi dyshohet se ka ndihmuar shtetasin E. Sh., për t’u fshehur, pas ngjarjes, si dhe dyshohet se po përgatiste kushtet dhe mjetet për ta larguar atë nga qyteti i Sarandës.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme./albeu