Rritja e çmimeve, protestë kombëtare e situata energjitike, pritet të nisë me debate seanca e sotme plenare

Seanca plenare e kësaj të enjte do të fillojë me një debat publik. Pas kërkesës së 15 deputetëve të opozitës të Partisë Demokratike dhe të Partisë së Lirisë, drejtuar Kryetares së Kuvendit znj. Lindita Nikolla, Konferenca e Kryetarëve ka vendosur për zhvillimin e diskutimeve për 240 minuta, kohë kjo që do të ndahet në mënyrë përpjesëtimore ndërmjet grupeve parlamentare, sipas përfaqësimit të tyre në Kuvend.

Tema e debatit publik do të jetë mbi situatën energjitike në vend, çmimin dhe menaxhimin nga autoritetet përkatëse.

Po ashtu një çështje tjetër që pritet të ketë debate të shumta është projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar.

Kujtojmë se PS ka prezantuar me herët gjatë diskutimit në komisionet parlamentare projektligjin e depozituar, ku kërkon dënimin e krimeve të së kaluarës komuniste duke vendosur kështu në sitë të gjithë figurat publike pavarësisht nëse ata kanë një certifikatë të pastërtisë së figurës nga komisionet Mezini-Bezhani.

Njëkohësisht, sindikata e pedagogëve ka paralajmëruar se sot do të ketë protestë kombëtare, ndërsa opozita ka dalë në mbështetje të tyre.


Shtuar 20.10.2022 09:32