Historia e çuditshme e një çifti është trajtuar në Euronews Albania, të cilët do të bëhen prindër pas 21-vitesh.
Ata u martuan rreth 21 vite më parë dhe që nga ajo ditë vetëm është shtuar dashuria për njeri-tjetrin. Por në shtëpinë e tyre gjithmonë ka munguar e qara apo e qeshura e një fëmije.
Ata nuk kanë mundur që të bëhen prindër biologjikisht dhe i janë nënshtruar procedurave të birësimit duke pritur në radhë për një kohë të gjatë.
Por më në fund duket se ëndrra e tyre më e madhe po bëhet realitet. Gjyste dhe Lul Përdoda treguan historinë e tyre në emisionin Goodmorning Albanians në Euronews Albania.
Babai tregoi se ai e kishte vendosur i pari që të adoptonte një djalë, madje kishte bërë letrat gati kur ja dha lajmin bashkëshortes.
“Kam dalë në qytetin e Laçit dhe kam takuar një zonjë të nderuar që mendoja se ishte avokate, por ajo ishte notere. Ajo më tha që do të gjej një avokat. Kishte tre vjet që i kisha dorëzuar dokumentet në Tiranë, është e vështirë, dokumentet ishin të lodhshme”, tregoi Lul Përdoda.
Nga ana e saj nëna tregoi se fëmijën e kanë takuar 3 javë më parë dhe që nga ajo ditë janë lidhur shumë fort me njëri-tjetrin.
“Tri javë më parë e kemi takuar djalin, shumë emocion. Fjala e parë e tij ka qenë babi, mami. Fëmija është i bukur si pëllumb. Mezi pres ta marr në shtëpi”, rrëfeu Gjyste Përdoda.