Kryeministri Edi Rama, pak minuta më parë me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook” ka publikuar dokumentin e gjobës që i ështe vendosur subjektit në qendër të Tiranës që ka ndërtuar pa leje.
Rama insiston në datën e vendosjes së gjobës ( 24 qershor) nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, ndërsa thotë se gjoba ka rënë në duart e një gjykatësi aq të verbuara sa që ka hedhur poshtë kallëzimin.
POSTIMI I PLOTË
Pas dokumentit të kallzimit penal që patë dje, ja edhe dokumenti i gjobës prej 162 milionë 634 mijë e 500 lekë të reja ose 1 milionë 366 mijë e 130 USD, për metrat katrorë pa leje në qendër të Tiranës, të cilat para pak ditësh i mori shteti, për interes publik
Shikojeni edhe datën e vendosjes së kësaj gjobe nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe përmes dokumentit tjetër bashkëngjitur, informohuni se kjo gjobë, ka rënë në duart e një gjykatësi aq të verbuar, sa që pa iu dridhur dora i ka dhënë kompanisë të drejtë në shkallën e parë, ndërkohë që ligji është i qartë, sasia e gjobës për metër katror shtesë pa leje përcaktohet me ligj, metrat katrorë shtesë pa leje janë aty…
Sinqerisht, ju që shani e akuzoni qorrazi këtu, mund të keni një mijë e një arsye për të mos votuar për mua apo për të menduar, se politikanët janë të tërë njësoj, por ama, të mos e shohësh vullnetin e plotë për t’i dhënë një goditje finale këtij fenomeni të shëmtuar dhe të mos e kuptosh, se këtë vullnet mund ta ketë vetëm kush as është i kapur prej parellinjve, as kapet dot me asnjë lloj shume parash, kjo është të tallesh keq me veten në rastin më të mirë ose në rastin më të keq, kjo është të jesh një i korruptuar potencial, që s’e koncepton dot në botë se paraja nuk është gjithçka…