Arabia Saudite ka nisur programin e saj të astronautëve dhe udhëtimi i parë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) në vitin 2023 është planifikuar të dërgojë një astronaute femër, diçka mjaft e papritur për këtë vend konservator islamik, ku deri në vitin 2018 grave u ndalohej të drejtonin makina. Nëse kjo ndodh, ajo do të jetë astronautja e parë femër nga bota arabe në përgjithësi.
Misioni do të kryhet në bashkëpunim me kompaninë amerikane Axiom Spacedhe nga anija kozmike e një kompanie tjetër amerikane, Space X. Astronautes femër do t’i bashkohet një tjetër astronaut saudit dhe dy amerikanë si pjesë e misionit të dytë privat të Axiom në ISS në fillim të vitit të ardhshëm, sipas Reuters.
“Hapësira i përket gjithë njerëzimit dhe kjo është një nga arsyet pse Axiom Space është e kënaqur të fillojë një partneritet të ri me Komisionin e Hapësirës Saudite për të trajnuar dhe dërguar astronautët sauditë në hapësirë, duke përfshirë edhe gruan e parë”, tha presidenti dhe CEO i kompanisë, Michael Suffredini.
Një saudit ka qenë tashmë në hapësirë në të kaluarën, Princi Sulltan bin Salman Al Saud, i cili kishte fluturuar me anijen amerikane kozmike Discovery në 1985. Kujtohet se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë programin hapësinor më të avancuar dhe ambicioz midis vendeve arabe.