Shkrimtarja e njohur Helena Kadare feston sot 79-vjetorin e lindjes. Në një prononcim për “News 24” ajo është shprehur se pavarësisht sfidave që ka kaluar në jetë se sa më shumë gjatë të mbash një dashuri, aq më me vlera është shpirti i njeriut.
PJESË NGA INTERVISTA
Pyetje: Helena, Marguerite Duras i pëlqente që sa herë që kishte ditëlindjen të shkonte në kafe Demagog dhe të pinte, pasi asaj i pëlqente vera…Të duket interesante mënyra se si ajo zgjidhte që ta kalonte këtë ditë, se ndonjëherë më shumë se një ditë gëzimi është dhe një ditë reflektimi që njeriu bën në kohë?
Helena Kadare: Megjithëse e çmoj Marguerite Duras, kjo mënyrë nuk më përshtatet sepse nuk pres ditëlindjen që të futem në një kafene dhe të reflektoj për jetën sepse në mënyrë të vazhdueshme, gjithë kohën, jo vetëm në ditëlindje, çdo gjendjeve të mia që njeriu e përjeton shumë, sidomos unë personalisht, të bën që jo për ditëlindje, por në mënyrë të vazhdueshme të kthesh prozhektorin nga vetja dhe të shikosh çfarë ke mirë dhe çfarë ke keq. Unë merrem shumë me këtë gjë sepse dua të di patjetër se çfarë gjërash kam bërë gabim, si mundet t’i përmirësoj ose të mos i bëj më.
Pyetje: Erërat që vijnë, lajmet që na vijnë sot nëpër portale, nga bota sot tregojnë pikërisht një lloj stuhie në horizont. Njeriu gjithmonë e më tepër është përballë sfidave të reja, por unë do doja përballë gjithë këtyre sfidave, gjithë këtyre stuhive në ditët tona, për çfarë ia vlen të jetosh?
Helena Kadare: Për mendimin tim ia vlen të jetosh vetëm në qoftë se je i dashuruar, për hir të dashurisë. Dhe sa më shumë gjatë të mbash një dashuri, aq më me vlera është shpirti jot. Domethënë shpirti gjallërohet, merr kuptim dhe aksionet që bën, i bën shumë më të bukura në qoftë se është i dashuruar. Besoj shumë te dashuria.