Zbardhet skema si trafikoheshin mjetet luksoze, çfarë ndodhte me makinat sapo hynin në Shqipëri

Zbardhet skema e trafikimit të shtatë mjeteve luksoze që u sekuestruan nga policia gjatë operacionit “Luxury” të finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë më 16 shtator.

ABC mëson se mjetet merreshin me qira nga vende të ndryshme të BE-së nga shtetas të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut. Më pas mjetet futeshin në Shqipëri nga pika kufitare e Morinës dhe Qafë Thanës. Këta persona iu çaktivizonin GPS-ët automjeteve dhe  i deklaronin të vjedhura. Më pas, automjeteve iu modifikohej edhe numri i shasisë.

Gjatë operacionit është vënë në pranga edhe 52-vjeçari Klaudio Begaj.

Njoftimi i policisë

Tiranë

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Luxury”.

Trafikonin dhe tregtonin mjete të vjedhura në vendet e BE-së, vihet në pranga 1 shtetas, procedohen penalisht 3 të tjerë, shpallen në kërkim 5 bashkëpunëtorët e tyre.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 6 automjete dhe 1 motomjet, të dyshuara të vjedhura në vendet e BE-së.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se disa shtetas trafikonin në vendin tonë, mjete të vjedhura në shtete të ndryshme të BE-së, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Luxury”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi K. B., 52 vjeç, si dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për penalisht shtetasit K. T., 26 vjeç, D. P., 46 vjeç dhe E. K., 27 vjeç.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit R. SH., 29 vjeç, I. G., 32 vjeç, V. P., 25 vjeç, I. H., 34 vjeç dhe U. B., 44 vjeç.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 6 automjete dhe 1 motomjet, të dyshuara të vjedhura në vendet e BE-së.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit e lartpërmendur kanë bërë ndërhyrje në automjetet e trafikuara, duke modifikuar numrat e shasisë apo paketat elektronike. Më pas automjetet i kanë shitur te persona të ndryshëm.

Vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të trafikimit të mjeteve, që mund të jetë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.  /abcnews.al/


Shtuar 18.09.2022 11:06