Kuvendi i ri (2021-2025) do të ketë vetëm një deputet të ri nën moshën 25-26 vjeçare, shumë më pak se shumica e legjislaturave të mëparshme. Ajo është Andia Ulliri, lindur më 1999 dhe që aktualisht është 22 vjeç zgjedhur si ndër më të votuarat në qarkun Durrës.
Nga ana tjetër, deputetja më e vjetër është Luljeta Bozo (78) lindur më 1943. Zonja Bozo do të jetë deputete për herë të parë në Parlament dhe për shkak të moshës, do të ketë rastin të jetë edhe deputetja që drejton seancën e parë plenare në javën e parë të muajit shtator 2021.
Në kontrast me deputeten 22-vjeçare vlen të theksohen se në listën fituese 2021-2025 ndodhen katër deputetë që kanë qenë deputet edhe në legjislaturën e parë pluraliste, 1991-1992. Konkretisht ish deputetët e PPSH Gramoz Ruçi dhe Fadil Nasufi vijojnë të jenë deputetë të PS-së edhe më 2021, gjithashtu deputetët e PD të vitit 1991 Sali Berisha dhe Tritan Shehu vijojnë të jenë deputetë edhe pas 30 vitesh.
Interesante janë edhe të dhënat për deputetët e rinj më me shumë mandate prej vitit 1991 në Shqipëri. Në krye me nga 9 mandate janë Gramoz Ruçi dhe Sali Berisha, përkatësisht PS dhe PD, ndjekur nga socialisti Erion Braçe, demokrati Tritan Shehu dhe kreu i PBDNJ Vangjel Dule me nga 8 mandate.
Shehu e Dule kanë fituar mandate edhe me parti të tjera politikë përveç PD, ndërsa Braçe ka qenë gjithnjë pjesë e grupit të PS-së. Blendi Klosi e Fatmir Xhafaj kanë nga 6 mandate, nga të cilët, ky i fundit u fitua nga Xhafa në rivalitet me listën zyrtare të kryetarit të PS.
Po kaq mandate kanë deputetët Edi Paloka në PD, si dhe kreu i PR Fatmir Mediu dhe ai i LZHK Dashamir Shehi. Këta të dy të fundit kanë fituar mandate kryesisht përmes koalicionit me PD, dhe vetëm në një rast njëri prej tyre fitoi në rivalitet me PD (Shehi).
Krerët e grupeve të PS dhe PD, përkatësisht Balla e Spaho kanë të njëjtin numër mandatesh (5), ndërkohë që po kaq ka edhe deputeti Paulin Sterkaj, i cili 4 mandate i fitoi me PS dhe një me PD.
Siç shihet nga tabela, shumica e politikanëve më me shumë mandate në parlamentin e ri 2021-2025 janë individë me poste të shumta partiake dhe ekzekutive, në mesin e tyre nuk ka asnjë grua deputete, si dhe pjesa më e madhe nuk kanë arritur të identifikohen për ndonjë meritë apo kontribut të veçantë politik dhe parlamentar.
Disa prej tyre kaluan në parti të tjera politike, përfituan nga koalicionet e mëdha ose siguruan mandate për shkak të sistemit (vendosja në krye të listave të kandidatëve). Në zgjedhjet aktuale parlamentare 6 nga 13 deputetët më me shumë mandate rezultuan më të votuarit në listat e qarqeve, ndërkohë që gjenden edhe politikanë që morën numër rekord minimal votash, por fituan mandate për shkak të pozitës në listën emërore. /Burimi Instituti i Studimeve Politike (ISP)