Mediat turke janë duke publikuar detaje të reja në lidhje me arratinë e bosit të kriptomonedhës turke “Thodex” Faruk Fatih Özer , i cili besohet se fshihet në Shqipëri prej më shumë se dy javësh.
Faruk Fatih Özeru arratis nga Turqia në drejtim të Shqipërisë duke u ulur në Rinas, ku u prit nga një çift misterioz shqiptarësh, sipas mediave turke, të cilat sëfundmi kanë publikuar edhe detaje mbi vendin se ku fshihet ai.
Media turke “EnSonHaber” shkruan se fill pas ardhjes në Shqipëri, Faruk Fatih Özer u vendos në një hotel pranë Zogut të Zi në Tiranë duke prenotuar tre netë, por se doli prej andej natën e dytë duke u fshehur në një shtëpi pranë zonës së “Pazarit të Ri” në Tiranë. Ajo ishte shtëpia e çiftit që e priti në Rinas.
Mediat turke raportojnë se ai dyshohet se fshihet ende në Shqipëri me synimin për t’u arratisur në një prej vendeve të Ballkanit si Maqedonia, Mali i Zi, por edhe Bosnja.
Ndërkohë, policia sipas mediave turke ka blinduar edhe Fierin e Vlorën pasi dyshohet se Faruk Fatih Özer mund të arratiset me skaf për në Itali.
Në momentin që “Thodex” shpalli falimentin mendohet se i ka shkaktuar investitorëve një dëm prej 2 miliard dollarësh, të cilat dyshohet se Faruk Fatih Özer i ka përvetësuar.
Ndërkohë, mediat turke raportojnë se ai ka me vete një vlerë prej 108 milion dollarësh në kriptomonedhë, të cilat mund t’i këmbejë në para përmes grupeve kriminale.
Edhe pse arratia e tij në Shqipëri është një ndër temat kryesore aktualisht në Turqi, policia shqiptare nuk ka bërë deri më tani asnjë deklaratë mbi ecurinë e kërkimeve për Faruk Fatih Özer. /abcnews.al