Vladimir Putin ka deklaruar se Moska i vlerëson lidhjet e saj me vendet në Amerikën Latine, Azi dhe Afrikë dhe se është e gatshme t’u ofrojë armë moderne aleatëve të saj.
Putin përdori një fjalim në një shfaqje armësh pranë Moskës për të vënë në dukje aftësitë e avancuara të armëve të Rusisë dhe për të deklaruar gatishmërinë e saj për të ndarë teknologjinë me vendet me të njëjtin mendim, raporton Reuters.
“Ne jemi të gatshëm t’u ofrojmë aleatëve tanë llojet më moderne të armëve, nga armët e vogla te mjetet e blinduara dhe artileria deri te aviacioni luftarak dhe mjetet ajrore pa pilot. Pothuajse të gjithë janë përdorur më shumë se një herë në operacione të vërteta luftarake”, tha Putin në ceremoninë e hapjes së forumit “Ushtria-2022” pranë Moskës.
Komentet e presidentit rus vijnë vetëm një ditë pasi ai ofroi zgjerimin e marrëdhënieve me Korenë e Veriut.
Në një letër drejtuar Kim Jong Un për ditën e çlirimit të Koresë, Putin tha se lidhjet më të ngushta do të ishin në interes të të dy vendeve dhe do të ndihmonin në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit të gadishullit Korean dhe rajonit të Azisë Verilindore.