Jose Mourinho e di që shanset që Roma e tij të bëjë më mirë se vitin e kaluar dhe të përfundojë mes katër skuadrave më të mira në Serinë A, do të varen shumë nga paraqitjet e Paulo Dybala. Blerja më e bujshme e skuadrës së tij gjatë kësaj vere, nuk ka zhgënjyer që në miqësoret e para duke qenë protagonisti i menjëhershëm në lojën ofensive të skuadrës.
Ai ka sjellë mbi të gjitha një entuziazëm të jashtëzakonshëm në ekip dhe mes tifozëve dhe kjo e ka kthyer atë në një emër të preferuar jo vetëm në tribuna, por edhe në vetë radhët e skuadrës së Romës. Vetë Jose Mourinho raportohet se është i mahnitur pas argjentinasit të cilit tashmë i ka vendosur edhe një emër me të cili e thërret me përkëdheli.
Para skuadrës, portugezi nuk dëgjohet më duke dhënë udhëzime për Paulon, por për “Paolinon”, emrin me të cilin e ka pagëzuar trajneri. Një sinjal i qartë se mes të dyve ka menjëherë një lidhje të ngushtë, për të cilën ndoshta ka nevojë Dybala që të tregojë edhe një herë talentin e tij të jashtëzakonshëm, që ishte harruar në vitet e fundit te Juventusi.