Ornela Çuçi ka reaguar pasi kryeministri Edi Rama firmosi largimin e saj pas 5 vjetësh nga posti i zëvendësministres së Turizmit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Çuçi shkruan se nuk bëhet fjalë për shkarkim, por dorëheqje, pasi sipas saj, ajo e ka kërkuar vetë largimin nga detyra.
Çuçi gjithashtu falenderon Ramën, ministren Kumbaro dhe ekipin e Ministrisë së Turizmit, teksa shkruan se do të vazhdojë të jetë një zë publik, për problematikat e mjedisit në Shqipëri dhe rajon.
Reagimi i plotë:
Falenderoj Kryeministrin Rama, i cili më datë 29.07.2022 pranoi lirimin tim nga detyra pas kërkesës sime për të qenë e lirë nga shërbimi në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.
Ky pesë vjeçar ka qenë për mua, një eksperiencë e jashtëzakoshme, nën drejtimin e pandërprerë të Kryeministrit Rama, të cilin gjej rastin ta falenderoj që më shquajti nga bota e ekspertizës në vend, nga bota akademike dhe ajo e shoqërisë civile dhe më besoi fillimisht detyrën e Këshilltarit në Kabinetin e tij, e mandej të Zëvendësministres, përgjegjëse për mjedisin.
Mirënjohëse për këtë mundësi, pasi të shërbesh për vendin tënd është dhe do të mbetet një bekim!
Unë, besoj se së bashku me shumë kolegë të tjerë zëvendësministra, ilustruam një frymë të re politike, të cilën Kryeministri donte t’i jepte pozicionit të zëvendësministrit në qeverisjen e Shqipërisë. Mirënjohje Kryeministrit për mbështetjen e pakufi, duke i dhënë këtij pozicioni politik, kopetencë, përgjegjësi dhe profesionalizëm, në vend të politizimit tradicional.
Gjej rastin të nënvizoj frymën e tij për të futur në ekipet klasike politike, të trashëguara apo të krijuara të jetës partiake, ekspertët pa asnjë paragjykim politik, krahinor apo klanor, por vetëm mbi fushën e ekspertizës.
Ishin pesë vite të një pune intensive ku shpresoj që me kopetencën dhe përkushtimin tim, të kem kontribuar modestisht në hapjen dhe zhvillimin e temave të rëndësishme të mjedisit, apo në përballimin e problematikave të mprehta dhe delikate të mjedisit në Shqipëri e më gjerë, në rajon.
Jam e bindur se nën qeverisjen e Kryeministrit Rama janë krijuar bazat e një politike të qënësishme mjedisore për vendin tonë, të cilat tashmë, duhen të kthehen realisht në prioritet politik të dorës së parë.
Falenderoj gjithë ekipin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për punën e çmuar, për bashkëpunimin e palodhur në përballimin e sfidave që sidomos në vitet e fundit, kanë qenë shumë të mprehta dhe sidomos nën syrin e ciklonit të opinionit publik.
I uroj sukses ekipit të ministres Kumbaro, në sfidat që ajo ka ndërmarrë dhe në çështjet ku është përfshirë!
Do të vazhdoj të jem një zë publik, për problematikat e mjedisit në Shqipëri dhe rajon, të cilin përfaqësoj në organizmat ndërkombëtare të mjedisit, në përputhje me kopetencën time profesionale dhe koshiencën qytetare.