Gjykata Kushtetuese vazhdon prej tre vitesh të jetë institucioni që nuk është në funksion të plotë dhe kjo duket se do të na shoqërojë dhe deri në fillimin e vitit të ardhshëm zgjedhor.
Presidenti Ilir Meta i pyetur për situatën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese ashtu si dhe për situatën e shkaktuar me emigrantët në kufirin shqiptaro-grek ka fajësuar qeverinë, kryeministrin Edi Rama.
Gjatë konferencës për shtyp, Kreu i Shtetit deklaroi se nëse do të ishin ndjekur hapat e ndërmarrë nga Presidenti që para 3 vitesh, Shqipëria nuk do të ishte asnjë orë pa Gjykatë Kushtetuese.
“Kam zero koment për Gjykatën Kushtetuese. Nëse do ishin ndjekur hapat e ndërmarrë nga Presidenti që para 3 vitesh, Shqipëria nuk do të ishte asnjë orë pa këtë gjykatë. Nuk është më kjo çështja imediate. Imediate sot është shëndeti I njerëzve, sepse kjo situatë mund të vazhdojë gjatë. Kam bërë çdo përpjekje për të bashkëpunuar me qeverinë dhe çdo institucion tjetër që kjo sfidë e madhe e Covid-19 të ketë sa më pak kosto për shqiptarët. Për Kushtetutën kemi 3 vjet që flasim, padyshim jemi këtu, sepse jemi sjellë në mënyrë të papërgjegjshme me Kushtetutën e Shqipërisë që nga viti 2008”, tha Meta.
Kreu i shtetit tha se nuk ka asnjë koment për vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për të ndaluar kandidimin e gjyqtares Regleta Panajoti në Gjykatën Kushtetuese.
Presidenti gjithashtu u shpreh se ka pasur rezervat e tij në lidhje me ndryshimet kushtetuese që u miratuan në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca.