Çfarë bën policia? Bandat kriminale vrasin hapur, blutë vetëm identifikojnë viktimat dhe mbledhin gëzhojat

Në vetëm pak ditë, dy atentate tipike mafioze kanë ndodhur në zonën mes Fushë Krujës dhe Milotit duke lënë katër të vdekur si edhe një të plagosur. Bëhet fjalë për ngjarje me prapavijë të fortë kriminale, të cilat për nga organizimi dhe ekzekutimi duket se janë të mirëfinancuara dhe synojnë ndryshimin e hartës së krimit krahas një hakmarrjeje të egër mes grupeve kriminale.

Në ngjarja të tilla, praktika që ndjekin autorët është e njëjtë: Diku atje tej, fill pasi kanë kryer atentatin, i pret një makinë tjetër.

Djegin makinën e tyre dhe pastaj avullojnë. Më pas, njoftohet zjarrfikësja për një makinë që po digjet në atë zonë.

Duket se shërbimi zjarrfikës është ai që operon më mirë në këto raste pasi shkon në kohë rekord në vendin e njoftuar për të fikur makinën, ndërkohë që policia në fakt mbledh gëzhojat nga vendi i ngjarjes dhe identifikon viktimat.

Për atentatin e së dielës së shkuar ku u vranë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata, policia nuk ka arrestuar asnjë person deri më tani përveç dyshimeve dhe kontrolleve në shtëpitë e të “dyshuarve të përhershëm”, të cilët kësaj radhe paskan ikur jashtë Shqipërisë.

Ndërkohë, atentati i djeshëm u krye në mes të zonës së populluar. Atentatorët u futën pa frikë në mes të qytetit, ndoqën objektivin, u pozicionuan pranë shtëpisë së tij dhe pritën pa frikën se policia mund të vinte t’i zbulonte.

Pas atentatit, autorët ikën të qetë, dogjën makinën dhe tani shohin lajmet dhe deklaratat e policisë për luftën pakompromis kundër krimit.

Të vetmit që e pësojnë në këtë rast janë qytetarët e thjeshtë si edhe ekonomia dhe imazhi i vendit. /abcnews.al


Shtuar 23.07.2022 13:23