Gati projekt-vendimi: Edhe Porto Palermo me koncesion, pritet “stuhi” reagimesh (FOTO LAJM)

Po bëhet gati dhënia me koncesion e Porto Palermos dhe rrethinave. Një projektvendim i përgatitur nga Ministria e Mjedisit, që përgatitet të marrë firmën e ministres Mirela Kumbaro, i planifikuar të marrë miratim nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe më pas edhe prej kryeministrit Edi Rama, po ngre një stuhi reagimesh dhe procesesh mes qeverisë dhe pronarëve në këto brigje të Himarës. Projektvendimi i vendosur verbalisht mes kryeministrit Rama dhe ministres Kumbaro parashikon dy faza.

Fazën zyrtare të shpalljes dhe miratimit përmes vendimit të “kufijve të zonës së mbrojtur dhe zonimin e brendshëm të ekosistemit natyror detar-bregdetar të Gjirit të Porto Palermo-Llamani”.

Në projekt-dokument, i cili mbështetet në nenet 7,9,10 dhe 16 të Ligjit Nr 107 datë 31.07.2014:

“Për planifikim e Zhvillimit e Territorit” i ndryshuar, shkronjës “ë” të pikën 6 të nenit 10 të Ligjit Nr.81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, të Vendimit Nr. 686 datë 22.11.2017 të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Rregullores së Planifikimit të Territorit”, i ndryshuar, të Vendimit Nr. 519, datë 20.09.2017 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e përbërjes së Këshillit Kombëtar të Territorit”, i ndryshuar, me kërkese të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura nëpërmjet Agjencisë Kombëtare te Planifikimit të Territorit, Këshilli Kombëtar i Territorit, vendoset: Miratimi i kufijve dhe zonimi i brendshëm i zonës së ekosistemit natyror detar bregdetar të Gjirit të Porto Palermo-Llamani si me poshtë:

Në Veri, kufizohet me pikën 1, me koordinata 43 91 937.1L/44 38 146.4V, e cila ndodhet 1853m (1 milje detare) larg bregut të Kepit të Alpunit (Gjiri Llamanit), vijon përgjatë kurrizit në drejtim të Ullirit të Hollë, zbret në drejtim të rrugës Himarë-Qeparo, deri tek pika 2, me koordinata 43 95 093.6L/44 39 875.2V, bashkimi i rrugës kryesore me rrugën që zbret te plazhi i Llamanit;

Në Lindje, pika 2, me koordinata 43 95 093.6L/44 39 875.2V, vijon në krahun e djathtë (poshtë) rrugës automobilistike Himarë-Qeparo, deri te pika 3, me koordinata 43 98 722.3L/44 35 525.0V;

Në Jug, pika 3, me koordinata 43 98 722.3L/44 35 525.0V, vijon në drejtim të Kepit të Spinarasit deri te pika 4, me kooridinata 43 98 519.7L/44 33 685. 7V, në distancë 1 milje detare nga Kepi;

Në Perëndim, pika 4, me kooridinata 43 39 519.7L/44 33 685.7V, ndjek izohipset deri te pika 1, me koordinata 43 91 937.1L/44 38 146.4V.“

Sipas dokumentit paraprak, pjesë e këtij vendimi janë edhe harta e kufijve të zonës, kufijtë elektronik në format vektorial të zonës së mbrotur. Bashkangjitur me të janë edhe vendimet për pezullimin e dhënies së lejeve të reja të zhvillimit/ndërtimit si dhe pezullimin e planeve të detajuara vendore në këtë territor administrativ. Ndërkohë që sipas pikës 2 të këtij projektvendimi “Deri në shpalljen e zonës së mbrojtur mjedisore, autoritetet e zhvillimit të territorit lejohen të japin leje zhvillimi/ndërtimi në territorin administrativ në të cilin përfshihet Ekosistemi Natyror Detar–Bregdetar i Gjirit të Porto Palermo-Llaman, vetëm pasi të kenë marrë konformitet nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe për këto raste përjashtimore:

Punime mirëmbajtje;

Leje zhvillimore për interes publik, shtetëror ose kombëtar.”

Ky projektvendim i qeverisë është i beftë. Më herët, vetë qeverisjet e kryeministrit Rama kanë shqyrtuar alternativa projektesh të ndryshme në lidhje me këtë territor bregdetar. Madje në harkun kohor të 15 viteve të fundit nga qeveritë e vendeve dhe donatorë të ndryshëm janë harxhuar miliona euro për proceset e menaxhimit, planifikimit dhe investimit. Prej vitesh nga pronarët e trojeve në këtë zonë të skicuar prej qeverisë, mbi 90 për qind e të cilëve të paisur me dokumenta pronësie, vërtetime pronësie, AMTP dhe në kushtet e disa dhjetra transaksioneve pronësore të realizuara, janë negociuar edhe kontrata të shumta zhvillimore e sipërmarrjeje.

Si lindi ideja dhe pse pikërisht tani ky projektvendim Kumbaro-Rama?!

Territori që përfshihet në projektvendimin Kumbaro-Rama është i lakmuar në shekuj, por më së shumti, në këto tri dekada të fundit. Është i vlerësuar si pjesë e pashmangshme e investimeve strategjike në dy fusha: në atë të mbrojtjes detare dhe atë të turizmit, i cili mbetet ende i pazhvilluar por e vetmja shpresë për zhvillimin elitar të kësaj zone. Zhvillimi i mbrojtjes detare është i njohur, për shkak të pranisë historike të bazës detare ushtarake me emrin e njohur Porto Palermo dhe aseteve portuale e ushtarake që aty janë investuar nga shtetit shqiptar përgjatë gati njëqind viteve të fundit. Bëhet fjalë për investim në sektorin mbrojtës, i cili kap shifrat e miliarda eurove, veçanërisht në harkun kohor të gjashtëdhjetë viteve të fundit.

Në tri dekadat e fundit projektimet zhvillimore në fushë të turizmit kanë qenë të ndryshme dhe opsionale. Kohë pas kohe kanë lobuar grupe interesi dhe përfaqësues të shumtë të biznesit kombëtar dhe atij të huaj për të ofruar projekte për park të fuqishëm turistik dhe me shumë zëra. Në nivelet e larta qeverisëse të këtyre 20 viteve të fundit janë lobuar dhe kanë qarkulluar projekte të ndryshme.

Grupe interesi nga Greqia, Italia, Gjermania, Arabia, madje edhe përfaqësues me influence politike na qarqet greko-amerikane dhe shqiptare kanë lobuar në kohë dhe momente të konjukturave të ndryshme përgjatë tranzicionitpostkomunist për të qenë hipotekues dhe investitorë të këtij territori.

Por çfarë fsheh qeveria Rama pas statusit “zonë e mbrojtur në Llaman-Porto Palermo?!

Pak ditë më parë në bashkinë e Himarës dështoi të zhvillohej një seancë dëgjimore me banorët, pronarët dhe të interesuarit e zonës LLaman-Porto Palermo. Pronarët e irrituar jo vetëm reaguan njëzëri, por paralajmëruan se kushdo që do të guxojë të zhbëjë apo tjetërsojë të drejtën e trashëgimisë dhe posedimit pronësor në këtë zonë, do të përballet me forcën e reagimit, pengimit dhe ankesës ligjore dhe denoncuese ndërkombëtarisht të himariotëve dhe gjithë familjarëve.

Përmes një letre publike banorët denoncuan se ky projektvendim është poshtërim i banorëve në të drejtën e tyre, është plan djallëzor grabitjeje dhe tjetërsimi të mundësisë së tyre për të gëzuar e trashëgua pronën e të parëve, është një djallëzi që kërkon të mbulojë përmes një statusi të përkohshëm tjetërsimin dhe trashëgimin nga tjetërkush, padyshim oligark apo “investitor strategjik” që qeveria e fsheh për një periudhë të afërt kohore. Madje banorët përmes një teksti të nisur pranë redaksisë sonë përmendin një incursion të babait të një këngëtareje të famshme kosovare, i shoqëruar prej disa të besuarve të kryeministrit Rama dhe nëpunës të ministrisë së Mjedisit.

A mund të sjellë dy konflikte ky projektvendim i qeverisë në Himarë?

Takime të njëpasnjëshme të pronarëve lokalë në Himarë kanë nisur strukturimin e ankimit kundër këtij projektvendimi dhe projektit që fshihet pas tij në dijeninë e qeverisë Rama. Të gjithë aktivistët filogrekë në Himarë kanë vënë në dijeni me letra dhe publikime organizatat greke që investohen në mbrojtje të të ashtuquajturit minoritet grek në Himarë.

Përfaqësues të OMONIA-s në Himarë dhe sidomos pronarët e trojeve kanë marrë takime me Ambasadat e huaja në Tiranë dhe me përfaqësues të lartë zyrtarë në Uashington, Bruksel, Athinë. Ndërkohë që grupi i përfaqësuesbve të pronarëve të tokave në këtë zonë kanë njoftuar një takim javën e ardhme në të cilin do të nisin procesin e lobimit dhe sqarimit për këtë projektvendim që është i dyshuar dhe që shton përditë hijet dyshuese për një aferë./Dosja.al/