Komisioni Europian: Ekonomia shqiptare u rimëkëmb nga ndërtimi e pasuritë e paluajtshme, efektet negative të inflacionit

Rimëkëmbja ekonomike në rajonin e Ballkanit Perëndimor e humbi pak shpejtësinë në tremujorin e parë të 2022, por megjithatë ritmet mbeten të larta.

PBB-ja e rajonit që u zgjerua me 4.7% në vit, krahasuar me 6.3% në tremujorin e mëparshëm. Ngadalësimi u shkaktua kryesisht nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina, sipas raportit të Komisionit Europian për vendet kandidate për tremujorin e dytë 2022.

Për Shqipërinë, raporti thotë se rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik vijoi në tremujorin e parë 2022, me PBB-në reale që u zgjerua me 6% me bazë vjetore, pas një rritjeje prej 5.5% në tremujorin e mëparshëm. Zgjerimi u mbështet kryesisht nga rritja e fortë e investimeve dhe e konsumit privat.

Sipas raportit, ndërtimi (1.95 pikë përqindje) aktivitetet e pasurive të paluajtshme (1.5 pp.) dhe tregtia dhe (0.9 pp.) mbeten kontribuuesit më të mëdhenj në rritjen e PBB-së. Edhe sektori i prodhimit dhe shërbimet financiare e profesionale kanë ecur mirë, duke regjistruar ritme rritjeje dyshifrore.

Tregu i punës vijoi të shfaqte një tendencë të kundërt. Ndërsa punësimi i grup moshës 15-64 vjeç u rrit me 0,7% me bazë vjetore, punësimi i të rinjve (mosha 15-29 vjeç) ra 2,2% me bazë vjetore.

Rritja e punësimit reflektoi kryesisht mobilizimin e popullsisë joaktive, pasi shkalla e pasivitetit ra dukshëm si në krahasim me tremujorin (me 2.5 pikë përqindje) ashtu edhe në atë vjetor (me 4.5 pikë përqindje), duke zbritur në 28% në TM1-22, historikisht norma më e ulët deri tani, sipas raportit.

Norma tashmë e lartë e inflacionit u rrit më tej në mars me pothuajse 2 pikë përqindjeje në 5.7% dhe u përshpejtua në 6.7% në maj dhe 7.4% në qershor 2022, nxitur nga rritja e çmimeve të importit për ushqime, energji dhe transport. Ky përshpejtim reflektoi kryesisht ndikimin e pushtimit rus të Ukrainës në çmimet ndërkombëtare të mallrave, i cili gjithashtu ngriti rritjen e indeksit të çmimeve të importit në 10% në vit në tremujorin e parë 2022 (nga 4.9% në TM4-21).

Pas rritjes së parë në muajin mars, Banka e Shqipërisë (BSH) e mbajti normën bazë të interesit në 1.0% deri në fillim të korrikut, kur ajo u rrit më tej me 0.25 pikë përqindjeje. në 1.25% për shkak të përshpejtimit të inflacionit dhe shtrëngimit të kushteve financiare.

Ballkani do ndikohet negativisht nga lufta dhe inflacioni i lartë

Rritja vjetore e prodhimit në Ballkanin Perëndimor vazhdoi duke përfituar nga kërkesa e qëndrueshme e brendshme dhe e jashtme, si pasojë e heqjes graduale të masave të kontrollit të lidhura me COVID-19, si dhe efekteve bazë në disa vende.

Krijimi i vendeve të punës vazhdoi, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë se në tre muajt e mëparshëm, dhe normat e papunësisë ranë ndërsa pjesëmarrja në fuqinë punëtore u rrit në shumicën e vendeve.

Deficiti i llogarisë korente të rajonit qëndroi në 6.5% të PBB-së në katër tremujorët deri në mars, niveli më i lartë që nga tremujori i tretë i 2020, pasi rritja e deficitit të tregtisë së mallrave tejkaloi rikthimin e fortë të eksporteve të shërbimeve dhe flukset më të larta të remitancave.

Rimëkëmbja e vazhdueshme ekonomike dhe inflacioni i lartë mbështetën rritjen e të ardhurave buxhetore dhe ngushtimin e deficiteve fiskale në të gjithë Ballkanin Perëndimor në tremujorin e parë të vitit 2022.

Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së u ul në shumicën e vendeve në krahasim me fundin e vitit 2021. Pushtimi rus i Ukrainës në shkurt pritet të ketë një ndikim negativ në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor përmes kanaleve të ndryshme të transmetimit.

Në veçanti, rritjet e forta të çmimeve të energjisë, ushqimeve dhe transportit po nxisin një përshpejtim të mëtejshëm të inflacionit, gjë që i shtyu bankat qendrore të rajonit me autonomi monetare të rrisin më tej normën bazë të politikës./monitor


Shtuar 15.07.2022 17:30