Kremlini e ka përdorur pretekstin e “mbrojtjes” së rusëve etnikë për ta sulmuar Ukrainën, si dhe për të kërcënuar shtetet e tjera ish-sovjetike. Së fundmi, Rusia ka kërcënuar Moldavinë, kur një komandant rus deklaroi në prill, se marrja tërësisht nën kontroll e Ukrainës Jugore, do ta ndihmonte Rusinë të lidhej me rajonin separatist moldav Transnistria.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pretendoi në qershor se Moldavia e lidhi me kundërvënien ndaj Rusisë, marrjen e statusit të kandidatit për në BE në samitin e 23 qershorit në Bruksel. “Sa më shumë anti-rusë bëhen moldavët, aq më shumë u duket se do t’i pëlqejnë evropianët. Ne nuk do të dëshironim që të ndodhte diçka e tillë”- tha ai.
Por Ukraina dhe Moldavia nuk janë të vetmet vende me një popullatë të madhe rusësh etnikë dhe rusisht-folësish. Bjellorusia dhe Kazakistani, kanë gjithashtu nj përqindje të lartë rusisht-folësish. Letonia dhe Estonia, të cilat janë anëtare të BE-së dhe NATO-s, kanë më shumë se 30 për qind rusisht-folës. Po cilat vende kanë përqindjen më të lartë të rusisht-folësve?
Kryeprokurori rus, Igor Krasnov, pretendoi kohët e fundit se aktivistët ukrainas në Kazakistan po nxisnin ndjenjat anti-ruse në këët vend. “Daily Telegraph” raportoi në qershor se zyrtarët e qeverisë kazake, janë të shqetësuar se pas Ukrainës, Putini mund ta kthejë vëmendjen e tij drejt tyre.
Rusët etnikë janë kryesisht të përqendruar në provincat veriore dhe lindore të Kazakistanit. Qarku Altay në lindje të vendit, banohet në masën 77 për qind nga rusët etnikë. Ndërkohë, sipas të dhënave më të fundit të qeverisë kazake, rajoni Magzhan Zhumabaev në Kazakistanin Verior është 58 për qind rus.
Zonat me popullsi të madhe ruse, ndodhen që të gjitha përgjatë kufirit tokësor prej 7644 km midis 2 vendeve, kufiri më i gjatë ndërkombëtar në botë, që me siguri do të ishte në fokusin e çdo aksioni të mundshëm ushtarak.
Kërcënimet e fundit të fshehura ndaj Moldavisë, kanë qenë kryesisht mbi rajonin autonom të Transnistrias, që është nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Rusia. Për atë rajon nuk ka të dhëna demografike të sakta, por dihet që rusishtja është gjuha kryesore zyrtare.
Transnistria kufizohet me Ukrainën. Ndaj nëse Rusia do të jetë në gjendje ta lidhë territorin e saj të pushtuar ukrainas me rajonin separatist, kjo mund të kërcënojë direkt Moldavinë. Rajoni i dytë autonom i Moldavisë është Gagauzia, ku gjuha amtare është gageuzitshja, një gjuhë e përafërt me turqishten. Por shumica e njerëzve flasin rusisht. Balti është qyteti i dytë më i madh në Moldavi, dhe kryeqendra e rusëve etnikë. Në kryeqytetin e vendit, Kishinau, jeton gjithashtu një pakicë e madhe ruse.
Rreth 9 për qind e Kirgistanit flet rusisht. Megjithatë, 23 për qind e kryeqytetit, Bishkek, dhe 21 për qind e atyre në rajonin përreth Chuy flasin rusisht. Kirgistani nuk ka kufi me Rusinë. Fqinjët e saj janë Kazakistani në veri, dhe Uzbekistani në perëndim.
Estonia ndan kufirin e saj lindor me Rusinë, dhe ashtu si Kazakistani, zonat e saj kufitare kanë më shumë gjasa të përmbajnë rusisht-folës. Në veçanti, qyteti kufitar Narva në veri-lindje është 96 për qind rusisht-folës, duke e bërë qytetin më rus në Bashkimin Evropian.
Qyteti ka një kalim përmes një ure me Ivangorod në anën ruse. Edhe para pushtimit të Ukrainës, banorët përziheshin lirisht me fqinjët e tyre rusë. Lufta ka çuar në një rritje të numrit të njerëzve që marrin nënshtetësinë estoneze në qytet, por vizat janë bërë më të vështira për t’u marrë.
Disa qytete në skajin verilindor të Estonisë, janë pothuajse tërësisht rusisht-folëse. As Estonia dhe as Rusia nuk e kanë përfunduar ende ratifikimin e marrëveshjes së tyre kufitare të vitit 2014. Estonia është një anëtare e NATO-s, gjë që e bën pushtimin rus shumë më pak të mundshëm. Kjo për shkak Nenit 5, sipas të cilit aleanca e trajton sulmin ndaj njërit prej anëtarëve të saj si një sulm të të gjithëve, përfshirë SHBA-në.
Edhe ky është vend anëtar i NATO-s, që ndan një pjesë të kufirit me Rusinë. Rreth 34 për qind e vendit flet rusisht, kryesisht në lindje, përgjatë kufirit me Rusinë dhe në jug, përgjatë kufirit me Bjellorusinë. Rajoni Pededze në verilindje është 70 për qind etnikisht rus, ndërsa ajo e Golisevas në lindje 71 për qind, ndërsa Lauderu 74 për qind.
Natyrisht, gjuha dhe përkatësia etnike, nuk është i vetmi justifikim që Rusia ka përdorur për pushtimin e kombeve të tjera. Çeçenia ishte e pavarur pas rënies së Bashkimit Sovjetik, por më pas u ripushtua nga Rusia, pavarësisht se rusët përbënin vetëm 2 për qind të popullsisë. Disa rajone, si Ingushetia, fqinjë me Çeçeninë, kanë më pak se 1 për qind rusë etnikë. Osetia e Jugut, fokusi gjatë pushtimit rus të Gjeorgjisë në vitin 2008, ishte pak më shumë se 1 për qind ruse në regjistrimin e vitit 2015.
Disa rajone në Kaukazin e Veriut, kanë më pak se 1 për qind rusë etnikë. Vende të tjera jo-etnikisht ruse që ndajnë kufijtë me Rusinë, janë gjithashtu të shqetësuara për veprimet që mund të ndërmarrë qeveria e Putinit. Këtu përfshihet Finlanda, e cila ka relativisht pak rusisht-folës (Imatra, një qytet në lindje, ka përqindjen më të lartë me vetëm 5 për qind), dhe e cila së bashku me Suedinë është në rrugë e sipër për t’u bërë pjesë e NATO-s./abcnews.al