Nafta bie në bursa; në tregun vendas 10-20 lekë më shumë se kur ishte në të njëjtat nivele pak javë më parë

Çmimet e naftës në bursa kanë shënuar rënie ditët e fundi, por kjo nuk është reflektuar ende në tregun vendas.

Sipas “S&P Global Platts”, treguesi Platss, që është referenca me të cilën punojnë importuesit shqiptarë dhe që merret si bazë nga Bordi i transparencës për llogaritjen e çmimit, ishte në 3 korrik 1,181 dollarë për ton. Ndonëse në rritje të lehtë me një ditë më parë, në raport me fundin e qershorit treguesi është ulur me rreth 100 dollarë për ton, apo me 8.3%.

Ndërsa në tregun vendas, çmimi me pakicë i naftës, i cili që prej fillimit të marsit caktohet nga Bordi i Transparencës ka mbetur në nivelin e 240 lekë për litër, që nga data 8 korrik.

Sipas grafikut krahasues të çmimeve të naftës në bursa dhe në tregun vendas (Nafta në bursa dhe tregun vendas, Shkurt 2022- 13 korrik 2022), herën e fundit që nafta ishte në këto nivele në bursat ndërkombëtare, në datën 26 maj, në tregun vendas ishte 230 lekë për litër, ose 10 lekë më pak se aktualisht.

Ndërsa në raport me nivelet e njëjta, në mes të muajit prill, nafta sot është rreth 20 lekë më e shtrenjtë.

Nga grafiku rezulton që “historia përsëritet”: çmimet rriten me shpejtësi kur nafta shtrenjtohet në Bursa, ndërsa ritmet e uljes janë më të ngadalta, jo si referencë kohore më shumë, sesa në vlerë.

Bordi

Në datën 8 mars, çmimi i naftës kërceu në 260 lekë për litër në tregun vendas, duke arritur një rekord historik maksimal, me rritje 35% nga fundi i shkurtit kur karburanti kushtonte 192 lekë.

Shtrenjtimi erdhi pasi treguesi Platts në bursa, që shërben sireferencë për blerjet e importuesve shqiptarë, arriti në 1418 dollarë për ton, si rrjedhojë e problemeve me furnizimin global që shkaktoi sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, nga rreth 850 dollarë që ishte në fund të muajit shkurt.

Pas protestave për rritjen e fortë të çmimeve, që janë më të lartat në rajon (edhe për shkak të taksave të larta që rëndojnë për një litër), qeveria krijoi Bordin e Transparencës, që fiksonte në mënyrë periodike çmimet e bursës, bazuar në një formule që merr për bazë çmimet e blerjes në bursa (treguesi Platts), taksat, kostot operative dhe një marzh fitimi./monitor


Shtuar 14.07.2022 17:07