Një tërmet goditi mëngjesin e së mërkurës, Afganistanin lindor, duke vrarë të paktën 280 persona, sipas informacioneve të para. Ende nuk dihet numri i saktë i viktimave dhe të plagosurve të tërmetit me magnitudë 6.1 ballë që goditi provincën Paktika.
Tërmeti, i cili goditi gjatë orëve të para të mëngjesit teksa shumë njerëz flinin – ishte një tërmet me thellësi rreth 51 km, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së.
Agjencia shtetërore e lajmeve “Bakhtar” raportoi detajet dhe tha se ekipet e shpëtimit po mbërrinin me helikopter.
“Një tërmet i fortë tronditi katër rajone të provincës Paktika, duke vrarë dhe plagosur qindra bashkatdhetarë dhe duke shkatërruar dhjetëra shtëpi”, shkroi në Twitter Bilal Karimi, zëdhënës i qeverisë talibane. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha agjencive të ndihmës së shpejtë që të dërgojnë ekipe në zonë menjëherë për të parandaluar katastrofën e mëtejshme.”
Departamenti Meteorologjik i Pakistanit e vlerësoi tërmetin në magnitudën 6.1 ballë. Lëkundjet u ndjenë në kryeqytetin pakistanez, Islamabad, dhe gjetkë në provincën lindore të Punjabit.
Agjencia evropiane sizmologjike, EMSC, tha se lëkundjet e tërmetit u ndjenë mbi 500 kilometra nga më shumë se 119 milionë njerëz në të gjithë Afganistanin, në Pakistan dhe Indi./REL