Kanë dalë të tjera detaje nga sekuestrimi i rreth një tonë drogë në Brazil.
Droga trafikohej mes tre shteteve, Brazil-Portugali-Belgjikë.
Kokë e trafikut të kësaj sasie kokaine ishte shqiptari Altin Drimadha, i cili ndodhet në arrati, si dhe një tjetër shqiptar i rrezikshëm, i akuzuar për vrasje, që është shpallur në kërkim.
Por kush është Altin Drimadha?
Emri i shqiptarit është publikuar nga autoritetet braziliane, teksa rezulton të jetë një person mjaft i rëndësishëm në botën e krimit.
Autoritetet atje e kanë mësuar emrin e tij nga dy brazilianë, rojë të shqiptarit, që u arrestuan në një zonë rezidenciale që i përkiste “kapos”, të cilin dy brazilianët e ruanin me armë. Policia ndërhyri, por nuk mundi dot ta sillte në pranga bosin e të paktën 1 ton kokaine që kishte destinacion Portugalinë dhe Belgjikën.
Prej kohësh, me mbështetjen dhe bashkëpunimin e agjentëve të DEA-s, Policia Federale e Brazilit po zhvillonte një sërë hetimesh për Altin Drimadhajn nga Shqipëria, një trafikant ndërkombëtar droge, i cili tashmë është në kërkim. Gjurmimi i Departamentit të Inteligjencës identifikoi një nga ambientet e Altin Drimadhajt në Sao Paulo, Brazil, që ruhej nga bandat lokale.
Ai besohet se koordinon gjerësisht operacionet nga një rang i lartë dhe lidhet me një të kaluar kriminale veçanërisht domethënëse në Australi. I përfshirë në vepra jashtëzakonisht të dhunshme, të lidhura me krimin e organizuar, të kryera nga bandat e “motoçikletave” të Adelajdës, ky gangster shqiptar ofron pista premtuese për hetimin, shkruajnë mediat vendase.
Në fakt, “modus operandi”, tatuazhi i veçantë i të dyshuarve dhe veçanërisht destinacioni i ngarkesave, duket se vërtetojnë pretendimin e prokurorëve kundër “Klubit të Motorëve Comanchero”, një bandë kriminale motoçikletash në Australi.
Duke pasur parasysh provat, të dhënat e arrestimeve, pamjet dhe informacionin e mbledhur, Interpoli ka ndërhyrë për të hetuar një rrjet më të gjerë të organizatave kriminale që veprojnë ndërkombëtarisht për të mbuluar zonat që kanë lidhje me njëra-tjetrën, si: Adelaide dhe Brisbane – Australi, Amsterdam – Holandë, Antverp – Belgjikë, Monte Karlo – Monako. Gangsteri shqiptar, mesa duket, ka ikur nga Brazili dhe mund të jetë aktualisht në kufijtë e Bolivisë.
Aksioni për kapjen e 1 ton kokaine
Të paketuara me mbështjellëse të “Louis Vuitton”, 650 kg ishin hedhur në oqeanin Atlantik dhe destinacion final kishin portin e Lisbonës. Ngarkesa ishte në një jaht me flamur maltez, brenda të cilit ishin edhe 6 studentë, doktorantë filozofie nga Australia. Detajet e një superoperacioni të zhvilluar njëherësh në oqean dhe në Sao Paolo të Brazilit hedhin dritë mbi një mekanizëm gjithëpërfshirës të vënë në dispozicion të karteleve të drogës, e kjo thuajse e gatshme për të sfiduar çdo polici të botës.
Përveç drogës, policitë e dy shteteve, Portugali dhe Brazil, sekuestruan edhe armë, para cash, një USB me të gjitha të dhënat e rrugëve, sasive, pritësve dhe detajeve të tjera që grupi hetimor tashmë i ka në dorë që me 8 qershor, kur ndërhyri në rezidencën e shqiptarit me emrin Altin. Po ashtu, janë sekuestruar edhe 4 telefona, të cilët janë të pajisur me kodin e veçantë që përdorin grupet kriminale për komunikim./BW