Xherdan Shaqiri nuk ishte as në bankën rezervë në ndeshjen e djeshme, që Liverpooli e fitoi kundër Manchester United-it, në Premierligë.
Mediat në Angli raportuan se kjo mungesë mund të ketë qenë për shkak të së ardhmes të pa sigurt të tij në klub.
Megjithatë, këtë e ka mohuar gazetari anglez i afërt me klubin. Gazetari i mirënjohur anglez, David Lynch, i afërt me Liverpoolin, ka bërë me dije se Shaqiri ka pësuar një lëndim.
“Më kanë treguar se Xherdan Shaqiri mungon shkaku i një lëndimi të lehtë. Nuk ka asgjë të bëjë me të ardhmen e tij”, ka shkruar gazetari i “Evening Standard”-it, në ‘Twitter’.
Shaqiri vitin e kaluar e mposhti i vetëm Manchesterin, duke ia shënuar dy gola.
Gjatë këtij afati kalimtar është përfolur se mund të largohet nga klubi, me skuadrat e Series A të interesuar për të.
Por Kloppi pak ditë më parë tha se do të vazhdojë me këtë skuadër deri në fund për ta rikthyer në Anfield titullin e Premierligës që mungon prej tri dekadash.