“Kemi me t’ kujtu sa të kemi jetë”, flet e mbijetuara e aksidentit ku humbi jetën parashutisti

Ditën e djeshme ka ndodhur një aksident në ajër mes dy parashutistëve, të cilët janë përplasur gjatë kohës së aterrimit në fshatin Korishë të Prizrenit.

Fatkeqsisht, një prej tyre, Fatos Gërxhaliu nga Vushtrria humbi betejën me jetën pasi nuk mundi ti mbijetonte plagëve të mara.

Pas këtij rasti ka reaguar edhe Jona Gegaj, e cila ka mbetur e lënduar nga ky aksident. Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ajo ka thënë se me dhimbje e ka marrë lajmin se Fatosi e ka humbur jetën.

“Dje me datë 19.07 u ndeshëm aksidentalisht në ajër unë dhe kolegu Fatos Gerxhaliu. Me dhimbje te thellë mora lajmin qe Fatosi humbi betejën me jetën . Fatos kemi me t’kujtu sa te kemi jete ty dhe miresine tende. Bashkënjdej dhimbjen me kolegë e familjarë.”, ka shkruar ajo.

Për rastin ka reaguar edhe nënkryetari i Komunës së Vushtrrisë, Besim Myzaqi. Ai i ka shprehur ngushëllime familjes Gërxhaliu, derisa ka thënë se ky lajm i ka tronditur të gjithë.

“E nderuara familje Gërxhaliu, lajmi i trishtë për ndarjen nga jeta të djalit tuaj Fatos Gërxhaliu në një aksident tragjik na tronditi të gjithëve. Fatosi ishte një djal shembull ne qytetin tonë, sportist e i dashur, që me mirësinë dhe ndershmerinë e tij na ka bërë qe secili nga ne të bashkëndjejmë dhe ta përjetojmë si humbje të anëtarit të familjes”, ka shkruar Myzaqi.


Shtuar 20.07.2020 11:04