Pas pesë ditësh në kërkim më në fund “Rambo” ka rënë në duart e policisë gjermane.
Yves Rausch, 31 vjeç, u fsheh në pyllin afër Oppenau, në Gjermaninë jug-perëndimore, të dielën, pasi kërcënoi katër oficerë policie dhe mori me dhunë pistoletat e tyre.
Një njësi elitare, helikopterë, detektorë termik dhe snajper ishin angazhuar për kapjen e tij. Pas arrestimit, zyrtarët sekuestruan katër armët e zjarrit që “Rambo” kishte vjedhur nga policët.
Ai u zbulua nga një punëtor postar që dha informacione dhe ndihmoi në arrestimin e tij, teksa një person u plagos gjatë operacionit.
Nëna e tij tha se ai ishte dëbuar nga banesa e tij me qera, disa muaj më parë dhe ai kishte zgjedhur të jetonte në mal e t’i përkushtohej natyrës e pyllit, por ajo e përshkruan atë si një person krejt normal dhe jo të rrèzikshëm.