Policia ka vënë në pranga një ekstremist në Kukës, pasi postonte me profile false në rrjetet sociale, foto dhe shkrime nxitëse, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave terroriste kundër disa institucioneve të rëndësishme shtetërore. Nga hetimet rezulton se Ibrahim El Salih(Lekica)., 56 vjeç ishte me prirje ekstremiste fetare dhe postonte në rrjetet sociale shkrime të ndryshme në përkrahje të ISIS. Gjithashtu, i bënte thirrje qytetarëve, për përkrahje të luftës në Siri.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit
Postonte me profile false në rrjetet sociale, foto dhe shkrime nxitëse, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave terroriste kundër disa institucioneve të rëndësishme shtetërore, identifikohet dhe vihet në pranga nga Drejtoria e Antiterrorit, 56-vjeçari nga Kukësi.
Specialistët e Drejtorisë së Antiterrorit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila ka caktuar për shtetasin I. S.(L.), 56 vjeç, banues në Kukës, masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.
Nga hetimet e kryera prej disa muajsh nga Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe SPAK-un, duke përdorur metodat proaktive, u bë i mundur identifikimi i personit që përdorte këto profile false, shtetasi I. S.(L.), person me prirje ekstremiste fetare, i cili postonte në rrjetet sociale, shkrime të ndryshme në përkrahje të ISIS. Gjithashtu, i bënte thirrje qytetarëve, për përkrahje të luftës në Siri.
Materialet i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme./albeu.com