E ardhmja e Messit, rritet optimizmi për qëndrim te Barcelona

Lionel Mesi dhe Barcelona duket se do të vazhdojnë përsëri rrugëtimin bashkë, edhe pas këtij sezoni që mendohej se do të ishte i fundit për argjentinasin në radhët e katalanasve. Në klub është rritur optimizmi pasi Mesi ka dhënë sinjale se po merr në konsideratë ofertën që i është bërë nga klubi.

Sipas medieve angleze, të cilat pritnin që Mesi të transferohej te Manchester City në verë, duket se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, pasi argjentinasi vazhdon të ketë prioritet Barcelonën, sidomos tani që janë larguar drejtuesit me të cilët ai, por edhe pjesa tjetër e ekipit kishin probleme.

Sigurisht, situata financiare e Barcelonës nuk është ndër më të mirat dhe Mesi është i ndërgjegjshëm se duhet të bëjë një sakrificë të rëndësishme financiare, pasi klubi nuk i ofron dot 75 milionë euro në vit që ka përfituar deri tani. Shifra që është gati t’i ofrojë Barcelona është shumë më e ulët se kjo aktuale, por argjentinasi tashmë po cilëson aspektin financiar si dytësor, pasi mbi të gjitha do një projekt fitues. Të njëjtat burme theksojnë se ai po shqyrton këtë ofertë që i ka ardhur nga klubi, i cili i ka ofruar një marrëveshje trevjeçare.


Shtuar 24.04.2021 21:05