Italia mund të bëhet qendra më e madhe e naftës ruse në Bashkimin Europian.
Sipas burimeve nga mediat e huaja, në muajin maj, Rusia eksportoi rreth 450 mijë fuçi naftë në ditë në Itali.
Diçka e tillë ndodhi pasi një nga rafineritë më të mëdha të naftës në vend, në pronësi të LUKoil-it rus, u bë plotësisht e varur nga furnizimet nga kompania e saj mëmë.
Lajmi u bë i ditur nga londinezja ‘Financial Times’, duke cituar të dhëna nga kompania analitike Kpler. Kjo do të thotë se në Itali u importua katër herë më shumë naftë ruse nga muaji shkurt.
Si pasojë, Italia mund të kapërcejë Holandën si qendra më e madhe e importit të BE-së për naftën e cisternave ruse. Dy të tretat e këtyre eksporteve shkuan në Augusta, një port në Siçili pranë rafinerisë ISAB në pronësi të kompanisë ruse të naftës Lukoil.
U rritën dërgesat edhe në portin e Triestes pranë kufirit me Slloveninë.
Porti lidhet me tubacionin Transalpin me dy rafineri në Gjermani, pjesërisht në pronësi të Rosneft-it rus.
Më herët, uzina ISAB, kishte mundësinë të kontraktonte furnizime me naftë nga e gjithë bota.
Megjithatë, pas fillimit të luftës në Ukrainë, linjat e kreditit të kompanisë u bllokuan.
Kjo e fundit, e që la rafinerinë vetëm në gjendje të importonte naftë nga kompania mëmë.
ISAB përpunon deri në 22 për qind të naftës italiane dhe e eksporton atë në dhjetëra vende.
E themeluar në vitin 1972, ajo u ble në vitin 2008 nga Litasco e kontrolluar nga LUKoil, një kompani e regjistruar në Zvicër.
Rafineria është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në rajon.
Politikanët vendas kanë paralajmëruar se një embargo e naftës ruse do të pasonte dëmtime të rënda në ekonominë lokale.
Çështja e kufizimit të eksporteve të energjisë nga Federata Ruse po diskutohet në mënyrë aktive në BE.
Por, ende nuk ka unanimitet se çfarë vendimi të merret lidhur me këtë çështje, pasi disa prej vendeve shohin edhe interesat e tyre pragmatiste.