Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një intervistë në “Tuttosport” në prag të finales së Conference League, që do të zhvillohet më 25 maj në “Air Albania”. Roma dhe Feyenoord do të përballen mes tyre dhe Rama është në krahun e italianëve.
“Në radhë të parë përshëndes të gjithë juventinët. Kërkoj ndjesë, por këtu në Shqipëri të gjithë bëjmë tifo me Romën. Për fat të keq, është ende Roma ajo që mban lart flamurin e futbollit italian.
Në një vit ku gjërat nuk kanë shkuar mire për futbollin italian, Shqipëria do të bëjë çmos që ai flamur italian i Romës të ngrihet në ballkonin më të lartë të Europës me një kupe”, u shpreh Rama fillimisht në videon e publikuar nga gazeta italiane.
Më tej në intervistë ai ka shtuar: “Ne kemi një nga stadiumet më të bukura në Europë dhe për ne do të jetë një Super Bowl i vogël”.
“A shqetësohemi për tifozët e shumtë? Asnjë shqetësim, por do të jetë një risi absolute për ne. Sa i takon mikpritjes, ne jemi një vend që do të luftonte për Champions League”.
“Jam shumë i lumtur që në finale është një ekip italian. Që i vogël kam bërë tifozllëk për italianët në sport, më pas Roma u bë e veçantë prej Jose Mourinho”, shprehet Rama. /h.ll/albeu.com