Raporti vjetor, Moneyval: Shqipëria nuk përmirësoi masat e parandalimit të pastrimit të parave

Moneyval (një mekanizëm i Komisionit Europian që bën vlerësimin e riskut të pastrimit të parave) publikoi raportin vjetor për vitin 2021 pak ditë më parë duke ndalur ndër të tjera në ecurinë e përgjithshme të vendeve që janë në monitorim të zgjeruar. Në këtë grup bën pjesë edhe Shqipëria dhe lidhur me vendin tonë Moenyval ka nënvizuar se përmirësimi nuk ka qenë domethënës.

“MONEYVAL mori në konsideratë dhjetë vlerësime të raundit të 5-të monitorimit gjatë gjithë vitit 2021.

Raporti monitorues i radhës për Shqipërinë doli në përfundimin se ky vend nuk ka përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme masat për të luftuar pastrimin e parave dhe financimimin e terrorizmit në përputhje me rekomandimet e FATF. Ndër çështjet e tjera, raporti ekzaminoi standardet e reja ndërkombëtare të aplikuara për asetet virtuale, duke përfshirë, kriptovalutat dhe ofruesit e këtyre aseteve. MONEYVAL vendosi që Shqipëria të mbetet monitorim të zgjeruar dhe të raportojë më tej mbi progresin e mëtejshëm për të forcuar zbatimin e masave mbi pastrimin e parave dhe luftës ndaj terrorizmit në baza vjetore” thuhet në raportin e datës 4 maj 2022.

Referuar njoftimit për shtyp që shoqëron këtë raport thuhet se MONEYVAL parashikon të përfundojë raundin e pestë të vlerësimeve në vitin 2024. “Deri në fund të 2021, 18 nga 22 juridiksionet e vlerësuara nga MONEYVAL në raundin e 5-të të vlerësimeve të ndërsjella iu nënshtruan procedurës së ndjekjes së zgjeruar për nivelin e pamjaftueshëm të përputhshmërisë me standardet LPP/ CFT: Shqipëria, Andorra, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Gjeorgjia, Gjibraltari, Hungaria, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Republika e Moldavisë, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Varësia e Kurorës së Mbretërisë së Bashkuar të Ishullit të Manit dhe Ukrainë” nënvizon njoftimi.

Shqipëria dhe historia e saj në listën “gri”

Në vitin 2011, Shqipëria u fut nga Moneyval, mekanizimi i Komisionit Europian, që bën vlerësimin e Shqipërisë për masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, në listën gri të vendeve me rrezik të lartë të pastrimit të parave (raporti i klasifikon vendet me potencial të lartë të pastrimit të parave në listë të zezë dhe gri). Më pas, në 2015-n, Shqipëria do të dilte nga lista gri, një vlerësim ky që në atë kohë ishte mjaft pozitiv. Vendi kishte pesë vjet kohë që të adresonte problemet për të dalë përfundimisht nga zona e rrezikut.

Por, në raportin e 2018-s, Shqipëria hyri në listën e vendeve që do t’i nënshtroheshin një ndjekjeje apo monitorimi të zgjeruar nga ana e Moneyval për shkak të dobësive që u konstatuan në raportin e fundit të lidhur me masat ndaj parandalimit të pastrimit të parave dhe luftës kundër terrorizmit.

Nuk vonoi shumë dhe në 21 shkurt 2020, vendi ynë i përfshi sërish në këtë listë për shkak të “dobësive strategjike”, që u gjetën në regjimet e parandalimit të pastrimit të parave ndërkohë që vijon të mbetet në monitorim të zgjeruar lidhur me përmbushjen e detyrimeve për të plotësuar kuadrin ligjor dhe masat e nevojshme në përputhje me standardet e kërkuara./Monitor


Shtuar 18.05.2022 08:37