Një ngjarje e rëndë ndodhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një i ri sulmoi për vdekje 10 persona në një market në Buffalo në New York.
18-vjeçari i identifikuar si Payton Gendron, sipas policisë udhëtoi më shumë se 320 km për të kryer krimin që po hetohet si akt ekstremizëm me motive racore. Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e djeshme.
Kryebashkiaku i Buffalo, Byron Broën tha se i dyshuari mbërriti me qëllim që të merrte jetën e njerëzve me ngjyrë. Emri i tij nuk ishte i panjohur për autoritetet amerikane.
Gendron kishte kërcënuar më parë me të shtëna në shkollën e tij të mesme në qershorin e kaluar dhe më pas iu nënshtrua një ekzaminimi të shëndetit mendor. Policia tha se i dyshuari kishte parë nga afër zonën një ditë para të shtënave.
“Kjo ngjarje u krye nga një individ i sëmurë, i çmendur, i cili u ushqye me urrejtje,” tha Prokurorja e Përgjithshme e Neë Yorkut Letitia James.
Të shtënat kanë habitur të gjithë banorët e zonës. Nga 13 personat e qëlluar, policia tha se 11 ishin me ngjyrë. Në mesin e të vrarëve ishte një burrë që po blinte ëmbëlsira për ditëlindjen e djalit të tij dhe një grua që kishte shkuar për të bërë pazar pasi kishte vizituar burrin e saj në një shtëpi pleqsh.