Të mërkurën shefi i inteligjencës ruse krahasoi Departamentin amerikan të Shtetit me makinerinë propagandistike naziste të Luftës së Dytë Botërore, të ndërtuar nga Joseph Goebbels, duke thënë se Uashingtoni kishte nisur një fushatë mesazhesh anti-ruse në të gjitha mediat sociale.
Sergei Naryshkin, kreu i Agjencisë së Inteligjencës për Jashtë, tha se Shtetet e Bashkuara po inkurajonin përhapjen e informacioneve të rreme në rrjetin e komunikimit Telegram në një tentativë për “të diskredituar” lidershipin politik dhe atë ushtarak në sytë e popullit rus.
“Veprimet e tyre kanë shumë të përbashkëta me traditat e Ministrisë të Edukimit dhe Propagandës të Rajhut të Tretë dhe të kreut të saj, Joseph Goebbels”, deklaroi Naryshkin në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Inteligjencës.
Naryshkin nuk dha asnjë provë për të mbështetur pretendimet e të ashtuquajturës fushatë e mbështetur nga SHBA. Rusia ka akuzuar rregullisht Perëndimin se ka mbështetur dhe sponsorizuar lëvizjet anti-ruse dhe se gjatë viteve të fundit ka etiketuar dhjetëra grupe të pavarura të të drejtave të njeriut dhe media në Rusi si “agjentë të huaj”.
Përfaqësues të Departamentit amerikan të Shtetit nuk iu përgjigjën menjëherë komenteve të Naryshkin.
Që nga pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt, Rusia ka përshpejtuar fushatën e saj për të shtypur opozitën në vend. Gazetarë dhe individë të tjerë rrezikojnë të burgosen deri në 15 vjet për publikimin e atyre që Rusia i quan “lajme të rreme” mbi fushatën ushtarake.
Rusia dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë në atë që e quan “një operacion i posaçëm ushtarak” për të minimizuar kapacitetin ushtarak të vendit dhe për të çrrënjosur ata që i quan nacionalistë të rrezikshëm. Forcat ukrainase kanë shfaqur një rezistencë të fortë dhe Perëndimi ka vendosur sanksione të rënda ndaj Rusisë.