Detaje të reja janë zbuluar nga super-operacioni me 19 të arrestuar në Korçë.
Sipas burimeve nga policia, bëhet me dije se hetimet gjashtë mujore dokumentuan veprimtarinë kriminale në fushën e shitjes së lëndëve narkotike, dhe bënë të mundur arrestimin e grupit të përfshirë në këtë aferë kriminale dhe sekuestruan 485.5 kg lëndë narkotike.
Gjithashtu bëhet me dije se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar edhe 1 armë sportive; 4 automjete; 1 presë e cila shërbente për paketimin e lëndës narkotike, 1 peshore elektronike si dhe 1 armë zjarri automatike dhe 1 krehër me 9 fishekë pa leje.
Njoftimi i plotë:
Shtatë operacionet që çuan në arrestimin e 19 shtetasve dhe sekuestrimin e 485, 5 kg lëndë narkotike.
Hetimet gjashtë mujore dokumentuan veprimtarinë kriminale në fushën e shitjes së lëndëve narkotike.
Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, mbi referimet e bëra nga Drejtoria Vendore e Policisë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga neni 283 i K.Penal, ka regjistruar disa procedime penale në përfundim të punës së saj 6-mujore.
Për hetimin e këtyre procedimeve penale janë aplikuar metodat speciale të hetimit, përgjimet telefonike apo vëzhgimet ambientale.
Si rrjedhojë, është bërë e mundur të dokumentohet veprimtaria kriminale në fushën e shitjes së lëndëve narkotike për 31 persona të dyshuar, shumica prej të cilëve në më shumë se një rast.
Prej datës 07.11.2021, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore e Policisë Korçë, janë kryer 7 (shtatë) operacione të quajtura “Restart”, në kuadër të Trafikimit të Lëndëve Narkotike si më poshtë:
Nga periudha Nëntor 2021 deri në Prill 2022
Numri total i të arrestuarve – 19
Sasia e lëndës narkotike të sekuestruar – 485, 5 kg
Prova materiale të sekuestruara – 1 armë sportive; 4 automjete; 1 presë e cila shërbente për paketimin e lëndës narkotike, 1 peshore elektronike si dhe 1 armë zjarri automatike dhe 1 krehër me 9 fishekë pa leje./albeu.com/