Në Shqipëri, Partia Demokratike, e kontrolluar tanimë nga ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, mblodhi sot Kuvendin e saj duke i hapur rrugë ngritjes së institucioneve të reja drejtuese, dhe garës për kreun e ri. Ndonëse zoti Berisha duket sa gëzon shumicën e demokratëve, problemet mbeten të hapura në grupin parlamentar. Pjesa më e madhe e deputetëve nuk shkuan sot të merrnin pjesë në Kuvend.
Më 22 maj Partia Demokratike do të zhvillojë garën për kreun e ri të saj. Një garë e cila duket se do të jetë tërësisht formale, duke qenë se drejtimin e saj e synon ish kryeministri Sali Berisha, i cili praktikisht dhe e ushtron këtë funksion. Ai u trajtua thuajse si i tillë dhe në sallën e Kuvendit. Muzika dhe ovacionet e shoqëruan atë drejt podiumit ku do të merrte fjalën, aq sa për shkak të entuziazmit, i përqëndruar të përshëndeste delegatët e ngritur në këmbë për të, zoti Berisha u pengua dhe në shkallët e skenës.
Fjala e tij ishte një platformë politike e partisë, të cilën ai pritet ta drejtojë dhe zyrtarisht pas zgjedhjeve të 22 majit. Ai preku një shumëllojshmëri temash e problematikash, shoqëruar me zgjidhjet që siç tha, do të ofrojë Partia Demokratike, që nga ulja e taksave, të rishikimi i reformës në Drejtësi “për të zhdukur pasojat katastrofale të një reforme të korruptuar, apo te premtimi për nënshtetësi dhe për qytetarët e Kosovës.
Zoti Berisha u shpreh se rruga e rithemelimit ishte një rrugë e imponuar nga disfatat e njëpasnjëshme të ish kryetarit Lulzim Basha “i cili e konsideroi këtë parti si sipërmarrjen e tij private, që vlerat konservatore i zëvendësoi në pazaret dhe bizneset me qeverinë, i cili së fundmi përfundoi i mbërthyer nga të gjitha anët dhe u vërsul me tërbim me vendime, me praktika, me qëndrime fund e krye antidemokratike. Shkelmoi sovranitetin e PD-së, statutin, forumet, anëtarësinë e saj”.
Por më shumë se sa humbjet elektorale të zotit Basha, rikthimi në skenë i zotit Berisha u nxit nga vendimi që e la atë jashtë grupit parlamentar, pasi më herët Departamenti amerikan i Shtetit e shpalli ish kryeministrin Berisha “non grata për korrupsion madhor”.
Ai sërish sot tha se ky kishte qenë një vendim i marrë pa prova e fakte. “Unë jam Sali Berisha. Kurrë, kurrë, kurrë, shpifjet, gënjeshtrën nuk e pranoj për të vërtetë. Jam mirënjohës pa kufi, ndaj jush që ndani me mua këtë qëndrim”, deklaroi ai.
Më pas, gjatë fjalës së tij të gjatë, nënvizoi se “jemi forcë sovrane konservatore, e cila qëndron në të drejtën e idealeve konservatore të shqiptarëve, të cilët, edhe një herë theksoj, as e majta e Xhorxh Sorosit dhe as e majta botërore nuk do mund ta kurrë ta mposhtin. Jo dhe jo”.
Në podium e Kuvendit të sotëm u ngjitën dhe figura të njohura të Partisë të lënë mënjanë nga zoti Basha. Salla priti duartrokitje ish nënkryetaren Jozefina Topalli, një kundërshtare e hershme e zotit Basha.
Por i vetmi zë kritik, që nuk ju bashkua entuziazmit të një ndryshimi të pritshëm për Partinë Demokartike ishte ai Fatbardh Kadillit, i cili ju kundërvu zoti Basha menjëherë pas zgedhjeve të 25 prillit të vitit të kaluar, por që nuk i ka kursyer kritikat edhe ndaj ish kryeministrit. “Zoti Berisha kërkon me këmbëngulje të bëhet kryetar partie dhe kandidat për kryeministër. Kërkon të mbetet oferta e vetme e PD, kur jemi në dekadën e tretë të shekullit XXI. Ndërkohë, është e sigurtë se e gjithë elita e re drejtuse e PD-së, që do të dalë nga ky Kuvend, do të jetë pak a shumë ajo që ishte prej një dekade me ca zbukurime të vogla.”Koha e shqiptarëve ka ecur përpara dhe e ka lënë PD-në pas. PD sot duhet të kapë të ardhmen. Për këtë arsye, dua t’i bëj thirrje edhe një herë tjetër Zotit Berisha që të hapë rrugën për një brez tjetër në krye të PD-së, i cili mund të vijë nga një garë e lirë dhe e vërtetë. Një garë ku merr pjesë zoti Berisha nuk është garë e vërtetë”, u shpreh Kadilli.
Sot Kuvendi po voton për zgjedhjen e Këshillit kombëtar, nga i cili do të burojnë institucionet e tjera drejtuese e që si detyrë të parë, iu la të zgjedhë dhe drejtuesin e ri të grupit parlamentar. Zoti Berisha dhe mbështetësit e tij nuk e njohin dretimin e grupit nga Enkelejd Alibeaj, pasi ky i fundit ankimoi në Apel vendimin e gjykatës së Tiranës që njohu Kuvendin e 11 dhjetorit të organizuar nga zoti Berisha. Grupi parlamentar mbetet ende struktura mbi të cilën ish kryeministri nuk e ka nën kontroll. Shumica dërrmuese e deputetëve nuk iu bashkuan Kuvendit të sotëm, një dëshmi e faktit se ribashkimi i demokratëve mbetet ende një mision i vështirë./VOA