Gjykata Kushtetuese rrëzoi PD-në për “Becchetti”-n, zbardhet vendimi me arsyetimet

Ndërsa kanë kaluar 6 muaj nga kërkesa e Partisë Demokratike për ngritjen e Komisionit Hetimor për çështjen “Becchetti”, gjykata Kushtetuese ka vendosur rrëzimin e saj në fund të muajit Mars.

Arsyetimet e Gjykatës:

Në vendimin e Gjykatës Kushtetues thuhet se ky institucion pasi dëgjoi relatoren e çështjes Fiona Papajorgji, shqyrtoi pretendimet e kërkuesit, një grup prej jo më pak se një e katërta e deputetëve (36 deputetë) të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë(Kuvendi), i cili ka kërkuar pranimin e kërkesës, prapësimet e subjekteve të interesuara, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave,të cilat kanë kërkuar rrëzimin e kërkesës, si dhe diskutoi çështjen në tërësi.

Në çështjen konkrete, Gjykata vëren se kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor e depozituar në Kuvend është nënshkruar nga 39 deputetë. Referuar dokumenteve bashkëlidhur kërkesës, në Kuvend, gjatë seancës plenare të datës 14.10.2021, kanë votuar pro ngritjes së komisionit hetimorgjithsej 46 deputetë, ndërsa kërkesa për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave drejtuar Gjykatës është nënshkruar nga 36 deputetë, 5 nga të cilët nuk rezultojnë të kenë nënshkruar kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor.

“Pra, vetëm 31 nga 36 deputetë që i janë drejtuar Gjykatës rezultojnë të kenë nënshkruar edhe kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor. Në këtë situatë, edhe pse kërkesa drejtuar Gjykatës formalisht plotëson numrin e kërkuar nga neni 77, pika 2, i Kushtetutës (35 deputetë), lista nominale e deputetëve në të dyja kërkesat nuk përputhet”, thote Kushtetuesja.

Me tej Gjykata thote se pasi mori në shqyrtim legjitimimin e një të katërtës së deputetëve që kanë vënë në lëvizje gjykimin kushtetues në raport me një të katërtën e deputetëve që kanë kërkuar ngritjen e komisionit hetimor në Kuvend, nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje, sipas nenit 133, pika 2, të Kushtetutës, të detajuar edhe në nenin 72, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000. Për rrjedhojë, duke qenë se nuk u formua shumica prej 5 gjyqtarësh, në kuptim të nenit73, pika 4, të ligjit nr.8577/2000, kërkesa e një të katërtës së deputetëve konsiderohet e rrëzuar.

Vendimi i plotë

Vendim nr. 9 datë 28.03.2022

(V-9/22)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Vitore Tusha, Kryetare, Marsida Xhaferllari, Elsa Toska, Altin Binaj, Përparim Kalo, Sonila Bejtja, Fiona Papajorgji, anëtarë, me sekretare Enina Kotoni, në datën 10.03.2022 mori në shqyrtim në seancë plenare publike, çështjen nr. 3 (N) 2021 të Regjistrit Themeltar, që u përket:

 

KËRKUES:               NJË GRUP PREJ JO MË PAK SE NJË E KATËRTA E DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË SHQIPËRISË (36 deputetë),  përfaqësuar me autorizim nga Gazment Bardhi, Arbi Agalliu dhe Marash Logu.

 

            SUBJEKTE TË INTERESUARA:

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, përfaqësuar me autorizim nga Erind Mërkuri.

KËSHILLI I MINISTRAVE, përfaqësuar me autorizim nga Embro Ahmetaj.  

 

OBJEKTI:                Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Deklarimi i vendimit nr. 80/2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve shtetërore dhe funksionarëve publikë në çështjet që kanë sjellë si pasojë vendimin e arbitrazhit “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”””, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.  

BAZA LIGJORE:     Nenet 7, 77, 78, 131, pika 1, shkronja “ç” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (Kushtetuta); neni 25 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë; nenet 54, 55 dhe 56 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar (ligji nr. 8577/2000); ligji nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, i ndryshuar (ligji nr. 8891/2002).

GJYKATA KUSHTETUESE,

pasi dëgjoi relatoren e çështjes Fiona Papajorgji, shqyrtoi pretendimet e kërkuesit, një grup prej jo më pak se një e katërta e deputetëve (36 deputetë) të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (Kuvendi), i cili ka kërkuar pranimin e kërkesës, prapësimet e subjekteve të interesuara, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave, të cilat kanë kërkuar rrëzimin e kërkesës, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,

V Ë R E N:

I

Rrethanat e çështjes

  1. Një grup prej 39 deputetësh të Kuvendit ka depozituar në Kuvend kërkesën nr. 2226, datë 01.10.2021 për ngritjen e një komisioni hetimor me qëllim kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve shtetërore dhe funksionarëve publikë në çështjet që kanë sjellë si pasojë vendimin e arbitrazhit “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”. Sipas tyre, shteti shqiptar, bazuar në vendimin për dëmshpërblim të Qendrës për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve pranë Bankës Botërore (ICSID), duhet t’i paguajë palës paditëse shumën prej 120 milionë eurosh.
  2. Ky komision hetimor kishte si objekt: a) verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të Kryeministrit, kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, si dhe funksionarëve të tjerë publikë; b) verifikimin e ndërvarësisë së këtyre veprimeve me veprimet procedurale të marra nga organet e drejtësisë, të cilat kanë kulmuar me sekuestrimin e Agonset; c) verifikimin e veprimeve dhe mosveprimeve të Agjencisë për Administrimin e Aseteve të Sekuestruara, të cilat kanë sjellë shkatërrimin e plotë të Agonset; d) verifikimin e veprimeve dhe mosveprimeve të organeve kompetente relevante për sa i përket mosdhënies së informacioneve të kërkuara nga INTERPOL-i; e) dëmin ekonomik që i shkaktohet buxhetit të shtetit nga ky vendim; f) pasojat e rënda mbi investimet e huaja dhe lirinë e medias në Shqipëri; g) vlerësimin e nevojës për marrjen e masave të përshtatshme për një mbrojtje më të mirë të investimeve të huaja dhe lirisë së medias, duke shmangur edhe rrezikun potencial për gjoba të larta ndaj shtetit shqiptar.
  3. Konferenca e Kryetarëve të Kuvendit në mbledhjen e datës 04.10.2021 ka shqyrtuar, ndër të tjera, edhe kërkesën e mësipërme për ngritjen e komisionit hetimor dhe ka vlerësuar se nisma e paraqitur nga kërkuesi i plotësonte elementet formale të kërkuara nga nenet 5 dhe 6 të ligjit nr. 8891/2002. Në lidhje me thelbin e kërkesës, pakica parlamentare gjatë mbledhjes ka mbajtur qëndrimin se kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor në fjalë ishte në përputhje me ligjin për sa i përket aspektit formal dhe përmbajtjes së saj, ndërsa shumica parlamentare ka mbajtur qëndrimin se objekti i komisionit hetimor, në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, duhet t’i nënshtrohej diskutimit midis shumicës dhe pakicës parlamentare për të arritur konsensusin lidhur me të. Në përfundim të mbledhjes, shumica dhe pakica parlamentare kanë rënë dakord të caktojnë nga radhët e tyre dy persona përgjegjës për të diskutuar lidhur me thelbin e objektit të komisionit hetimor.
  4. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit të datës 12.10.2021 palët kanë diskutuar për objektin e hetimit të komisionit të kërkuar. Sipas procesverbalit të kësaj mbledhjeje rezulton se Avokatura e Shtetit, me shkresën nr. 2282 prot., datë 06.10.2021, ka kërkuar mosngritjen e komisionit hetimor për çështjen “Becchetti” ose shtyrjen e ngritjes së tij pas shterimit të mjeteve të mbrojtjes dhe përfundimit të proceseve gjyqësore ndërkombëtare në lidhje me këtë çështje. Avokatura e Shtetit ka evidentuar në shkresë se në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) është duke u zhvilluar një proces gjyqësor me aplikant shoqërinë Agonset në kuadër të të cilit janë paraqitur dokumente të prodhuara nga procesi i arbitrazhit për të cilat është kërkuar të mos jenë objekt publikimi, duke qenë se ky proces karakterizohet nga konfidencialiteti. Për këto arsye, GJEDNJ-ja ka vendosur të mos lejohet asnjë publikim i të dhënave të procesit të arbitrazhit. Më tej, Avokatura e Shtetit, në shkresë, ka shprehur shqetësimin se investimi i Kuvendit për ngritjen e këtij komisioni hetimor parlamentar do të shfrytëzohej si një provë thelbësore në favor të aplikantit për të demonstruar si në proceset ekzistuese, ashtu edhe në ato potenciale se Republika e Shqipërisë është në shkelje të detyrimeve ndërkombëtare. Këto kërkesa të Avokaturës së Shtetit janë mbështetur nga përfaqësuesi i shumicës parlamentare.
  5. Gjatë mbledhjes së lartpërmendur, përfaqësuesit e grupit të deputetëve, që kanë kërkuar ngritjen e komisionit hetimor (pakicës parlamentare), janë shprehur për mospranimin e kërkesave të paraqitura nga Avokatura e Shtetit, duke theksuar se ato janë të pabazuara. Qëndrimi i tyre ka qenë kundër shtyrjes në një moment të dytë të ngritjes së komisionit hetimor, duke argumentuar se jo vetëm që procedura e arbitrazhit ka përfunduar, por qëllimi i komisionit hetimor është përcaktimi i përgjegjësisë dhe i përgjegjshmërisë së personave që mbajnë detyra publike gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Pas diskutimeve në këtë mbledhje rezulton, gjithashtu, se nuk është arritur në një konsensus nga palët për sa i përket objektit të hetimit.
  6. Konferenca e Kryetarëve të Kuvendit, me vendimin nr. 4, datë 12.10.2021, ka vendosur shqyrtimin e kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor në seancën plenare të datës 14.10.2021 dhe me urdhrin nr. 13, datë 12.10.2021 të Kryetares së Kuvendit është parashikuar shqyrtimi i saj në rendin e ditës së asaj seance plenare.
  7. Kuvendi, me vendimin nr. 80/2021, datë 14.10.2021, ka vendosur “Mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve shtetërore dhe funksionarëve publikë në çështjet që kanë sjellë si pasojë vendimin e arbitrazhit “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”””. Bazuar në procesverbalin e seancës plenare, ngritja e komisionit hetimor nuk është miratuar për arsye se kërkesa cenonte: (i) të drejtën ndërkombëtare, konkretisht parimin e konfidencialitetit të procesit të arbitrazhit në fjalë që është detyrues për Republikën e Shqipërisë; (ii) parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, për arsye se për të njëjtën çështje ekzistojnë procese penale dhe civile në të drejtën e brendshme; (iii) si dhe, në mënyrë të drejtpërdrejtë, interesat e Republikës së Shqipërisë në lidhje me një procedurë akoma në proces.
  8. Kërkuesi, një grup prej 36 deputetësh të Kuvendit, në datën 25.10.2021 i është drejtuar me kërkesë Gjykatës Kushtetuese (Gjykata), duke kërkuar zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës midis tij dhe Kuvendit, si dhe shfuqizimin e vendimit nr. 80/2021 të Kuvendit për mosmiratimin e projektvendimit për ngritjen e komisionit hetimor.
  9. Kuvendi, në parashtrimet e tij, i ka kërkuar Gjykatës thirrjen e Këshillit të Ministrave si subjekt i interesuar në këtë gjykim kushtetues. Mbledhja e Gjyqtarëve, në vështrim të nenit 39, pika 1, shkronja “b”, të ligjit nr. 8577/2000, me vendimin e datës 24.02.2022 ka vendosur të pranojë kërkesën e Kuvendit për thirrjen e Këshillit të Ministrave si subjekt i interesuar në gjykim.

 

II

Pretendimet në Gjykatën Kushtetuese

  1. Kërkuesi, jo më pak se një e katërta e deputetëve të Kuvendit (36 deputetë), ka pretenduar se është cenuar e drejta e pakicës parlamentare për të kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor, për arsyet e parashtruara në vijim:

Për legjitimimin:

  • Bazuar në jurisprudencën kushtetuese, një e katërta e deputetëve të Kuvendit legjitimohet në kërkesat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të kompetencave që kanë lindur për shkak të vendimmarrjeve të Kuvendit për komisionet hetimore. Sipas kërkuesit, kërkesa është nënshkruar nga numri i deputetëve të kërkuar nga Kushtetuta për të vënë në lëvizje Gjykatën, pasi çdo deputet i pakicës parlamentare që ka paraqitur kërkesë për ngritjen e komisionit hetimor, legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës nëse rrëzohet kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor dhe cenohet e drejta e pakicës parlamentare për të ushtruar kompetencën e kontrollit parlamentar.

Për themelin e kërkesës:

  • Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e paraqitur, pavarësisht se ajo i përmbushte kriteret kushtetuese për sa i përket çështjes së veçantë dhe objektit të hetimit parlamentar. Kuvendi ishte i detyruar të miratonte ngritjen e komisionit hetimor, bazuar në nenin 77 të Kushtetutës dhe jurisprudencën e Gjykatës. Kjo është një e drejtë e pakicës parlamentare, e cila nuk mund të kufizohet nga vullneti i shumicës. Kuvendi nuk ka bërë përpjekje ose propozime për të rishikuar objektin e kërkesës, por e ka kaluar kërkesën në procedura të zakonshme votimi pa ia nënshtruar një analize të thelluar shkallën e respektimit të parimeve kushtetuese në veprimtarinë e komisionit hetimor. Në këtë mënyrë Kuvendi, me vendimin nr. 80/2021, ka mohuar kompetencën kushtetuese të pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor, duke krijuar një mosmarrëveshje kompetencash.
  • Argumenti i shumicës parlamentare për mbivendosjen e kompetencave midis organeve kushtetuese është i pabazuar, pasi procedura e hetimit parlamentar u shërben qëllimeve të ndryshme nga ato të hetimit penal. Objekti i veprimtarisë së komisionit hetimor nuk mbivendoset me veprimtarinë e prokurorisë në këtë çështje, për arsye se ky objekt përjashton shprehimisht mundësinë e ngritjes së akuzave apo marrjen e personave të pandehur. Kërkesa kushtetuese për “çështjen e veçantë” përmbushet në rastin konkret, pasi objekti i veprimtarisë së komisionit hetimor përfshin çështje mjaft të rëndësishme të mbrojtjes së investimeve të huaja dhe lirisë së medias, për të cilat është urgjente nxjerrja e përgjegjësive institucionale dhe vlerësimi i nevojës për të ndërhyrë në ligj.
  • Pretendimi i Kuvendit se kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor shkel të drejtën ndërkombëtare dhe parimin e konfidencialitetit është i pabazuar, pasi shumica nuk ka identifikuar në mënyrë specifike traktatin, konventën ose marrëveshjen ndërkombëtare që cenohet në këtë rast.
  1. Subjekti i interesuar, Kuvendi, ka prapësuar si vijon:

Për legjitimimin:

  • Kërkuesi nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës për arsye se 5 nga 36 deputetët që kanë nënshkruar kërkesën e paraqitur në Gjykatë për inicimin e këtij gjykimi kushtetues nuk e kanë nënshkruar kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor. Pra, vetëm 31 nga 39 deputetët që kanë kërkuar ngritjen e komisionit hetimor e kanë nënshkruar kërkesën për t’iu drejtuar Gjykatës. Kushtetuta i njeh një të katërtës së deputetëve (35 deputetë) të drejtën për të kërkuar ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, ndaj vetëm kjo pakicë parlamentare (të njëjtët deputetë) legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës për cenimin e kësaj të drejte. Ndërsa një e pesta e deputetëve të Kuvendit, sipas qëndrimit të mbajtur nga Gjykata në vendimin nr. 20, datë 04.05.2007, nuk mund t’i drejtohet asaj në rastet e mosmarrëveshjeve të kompetencave që lindin nga vendimmarrja e Kuvendit për komisionet hetimore, pasi vetëm një e katërta, pra 35 deputetë mund t’i drejtohen Gjykatës në këto raste.

Për themelin e kërkesës:

  • Në përputhje me jurisprudencën kushtetuese, pakica parlamentare ka të drejtën e ngritjes së një komisioni hetimor për një çështje të caktuar. Kësaj të drejte të këtij grupimi i korrespondon detyrimi i Kuvendit për të mos e diskutuar këtë mundësi, me përjashtim të rasteve të mosrespektimit të parimeve kushtetuese.
  • Rregullimet ligjore dhe praktika gjyqësore ndërkombëtare në fushën e arbitrazhit kanë njohur parimin e konfidencialitetit si një parim kryesor, në bazë të të cilit nuk lejohet bërja publike dhe nxjerrja e të dhënave të shkëmbyera gjatë arbitrazhit, duke përfshirë jo vetëm vendimin e dhënë, por edhe çdo dokument tjetër të procedurës së arbitrazhit.
  • Shteti shqiptar, nëpërmjet disa marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara me akte ligjore (ligji nr. 7515/1991) ka pranuar fuqinë dhe efektin e konventës ICSID në Republikën e Shqipërisë, si dhe ka njohur autoritetin gjyqësor të arbitrazhit ndërkombëtar ICSID. Sipas konventës ICSID (neni 54), vendimet e dhëna në përputhje me këtë konventë do të zbatohen nga çdo shtet kontraktues sikur të ishin vendime përfundimtare të një gjykate në atë shtet, prandaj edhe çështja konkrete e vendosur nga arbitrazhi ICSID si “vendim gjykate” duhet të respektohet nga ana e Kuvendit. Në përputhje me nenin 180 të Kushtetutës, Republika e Shqipërisë duhet të njohë dhe të zbatojë detyrimet që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare (pacta sunt servanda), pjesë e të cilave është edhe zbatimi i vendimeve të arbitrazheve ndërkombëtare. Nëse Kuvendi do të merrte vendim për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, kjo do të sillte cenimin e parimeve kushtetuese, si dhe të detyrimeve ndërkombëtare që Republika e Shqipërisë ka marrë përsipër, sidomos të atyre që kërkojnë ruajtjen e konfidencialitetit në këtë rast.
  • Një ndalim tjetër për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar vjen si rezultat i respektimit të konfidencialitetit lidhur me çështjen “Agonset kundër Shqipërisë” (aplikimi nr. 33104/15), ende në shqyrtim në GJEDNJ, ku janë depozituar në edhe aktet e arbitrazhit ICSID. Përderisa GJEDNJ-ja ka vendosur mbajtjen konfidenciale të kësaj çështjeje, atëherë ky “vendim gjykate” duhet të respektohet nga ana e Kuvendit.
  1. Subjekti i interesuar, Këshilli i Ministrave, ka prapësuar si vijon:
    • Të gjitha proceset ndërkombëtare që lidhen me çështjen “Becchetti” mbulohen nga klauzola e konfidencialitetit dhe gjykatat në këto çështje kanë urdhëruar mospublikimin e asnjë të dhëne që ka të bëjë me vendimin. Në çështjen “Agonset kundër Shqipërisë”, e cila është ende në shqyrtim pranë GJEDNJ-së, vetë aplikanti, ka paraqitur kërkesë për ruajtjen e konfidencialitetit të procesit. Po kështu, edhe në çështjen e arbitrazhit të zhvilluar në ICSID, para nisjes së procesit, pala paditëse (Becchetti) ka kërkuar mbajtjen e konfidencialitetit. Gjithashtu, në përfundim të këtij procesi palët nuk kanë arritur marrëveshje për publikimin e vendimit, çka e bën këtë vendim konfidencial. Ato kanë arritur marrëveshje vetëm për sa i përket publikimit të urdhrave proceduralë.
    • Ngritja e komisionit hetimor në këtë rast dhe publikimi i të dhënave konfidenciale do ta vendosnin shtetin shqiptar në konflikt me juridiksionet ndërkombëtare, të cilat Shqipëria i njeh dhe është palë konventore. Kjo do të rezultonte në shkelje të detyrimeve ndërkombëtare që Shqipëria ka marrë përsipër në kuadër të anëtarësimit në këto organizata. Vetë konventa ICSID parashikon se Qendra nuk do të bëjë publikimin e vendimit nëse nuk ka konsensus nga palët. Gjithashtu, në çështjen konkrete janë katër vendime të GJEDNJ-së që e detyrojnë qeverinë për të mos bërë publike elemente të procesit. I njëjti qëndrim është mbajtur edhe nga Avokatura e Shtetit dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit, të cilët nuk i kanë bërë publike të dhënat për këto procese në funksion të ruajtjes së konfidencialitetit.
    • Objekti i hetimit që kërkon “kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve shtetërore dhe funksionarëve” del jashtë kornizës kushtetuese dhe ligjore të Kuvendit, i cili në këtë rast do të merrte atributet e një organi procedues ose gjykues, duke cenuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Ngritja e komisionit hetimor me këtë objekt mund të ndërhyjë në veprimtarinë e organeve të pavarura, si gjykata dhe prokuroria, duke pasur parasysh se Francesco Becchetti është dënuar së fundmi me 17 vjet burg nga gjykata e shkallës së parë dhe ky vendim nuk është ende përfundimtar. Investimi i Kuvendit në një drejtim hetimi të kundërt me atë që ka zhvilluar prokuroria do të ishte një ndërhyrje në punën e kësaj të fundit, në mbështetje të një individi i cili ka shkelur ligjin në Republikën e Shqipërisë.

 

III

Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese

  1. Për legjitimimin e kërkuesit
  2. Kërkuesi ka pretenduar se bazuar në jurisprudencën e Gjykatës, ai legjitimohet t’i drejtohet asaj në kërkesat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të kompetencave që kanë lindur për shkak të vendimmarrjeve të Kuvendit për komisionet hetimore. Gjithashtu, gjatë seancës plenare ai ka pretenduar se kërkesa është nënshkruar nga numri i deputetëve të kërkuar nga Kushtetuta për të vënë në lëvizje Gjykatën. Sipas kërkuesit, çdo deputet i pakicës parlamentare që ka paraqitur kërkesë për ngritjen e komisionit hetimor, legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës nëse rrëzohet kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor dhe cenohet e drejta e pakicës parlamentare për të ushtruar kompetencën e kontrollit parlamentar.
  3. Subjekti i interesuar, Kuvendi, gjatë seancës plenare ka prapësuar se kërkuesi nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës për arsye se 5 nga 36 deputetët që kanë nënshkruar kërkesën e paraqitur në Gjykatë për inicimin e këtij gjykimi kushtetues nuk e kanë nënshkruar kërkesën e depozituar në Kuvend për ngritjen e komisionit hetimor. Konkretisht, vetëm 31 nga 39 deputetët që kanë kërkuar ngritjen e komisionit hetimor e kanë nënshkruar kërkesën për t’iu drejtuar Gjykatës. Kushtetuta i njeh një të katërtës së deputetëve (35 deputetë) të drejtën për të kërkuar ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, ndaj vetëm kjo pakicë parlamentare (të njëjtët deputetë) legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës për cenimin e kësaj të drejte. Sipas subjektit të interesuar ka një mospërputhje të deputetëve që kanë kërkuar ngritjen e komisionit hetimor parlamentar me deputetët të cilët i janë drejtuar Gjykatës nëpërmjet kësaj kërkese. Nga ana tjetër, sipas subjektit të interesuar, një e pesta e deputetëve, bazuar në qëndrimin e mbajtur nga Gjykata në vendimin nr. 20, datë 04.05.2007, nuk mund t’i drejtohet Gjykatës në rastet e mosmarrëveshjeve të kompetencave që lindin nga vendimmarrja e Kuvendit për komisionet hetimore.
  4. Nisur nga prapësimet e subjektit të interesuar, Kuvendit, për legjitimimin formal të kërkuesit, Gjykata vëren se ky i fundit si në parashtrimet e tij në kërkesë, si edhe gjatë seancës plenare, mbajti qëndrimin se legjitimimi për kërkesat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të kompetencave që kanë lindur për shkak të vendimmarrjeve të Kuvendit për komisionet hetimore, i përket një të katërtës së deputetëve, për shkak të së drejtës së parashikuar për këtë pakicë parlamentare për të kërkuar ngritjen e komisioneve hetimore sipas nenit 77, pika 2, të Kushtetutës.
  5. Kushtetuta në nenin 77, pika 2, parashikon se Kuvendi ka të drejtë dhe me kërkesë të një të katërtës të të gjithë anëtarëve të tij është i detyruar të caktojë komision hetimor për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Në interpretimin e këtij formulimi kushtetues Gjykata ka vlerësuar se dispozita kushtetuese, duke parashikuar shprehjen “është i detyruar”, jo vetëm që e vendos Kuvendin në një pozicion disi të veçantë, duke i hequr të drejtën për të vlerësuar vendimmarrjen për ngritjen e komisionit hetimor, por njëkohësisht institucionalizon një lloj tjetër autoriteti kushtetues që njihet si pushtet i pakicës parlamentare (shih vendimet nr. 57, datë 23.07.2015; 30, datë 16.05.2014; nr. 20, datë 04.05.2007 të Gjykatës Kushtetuese).
  6. Gjykata në jurisprudencën e saj është shprehur për legjitimimin e një të katërtës së deputetëve (35 deputetë) në kërkesat për zgjidhjet e mosmarrëveshjeve së kompetencave që kanë lindur për shkak të vendimmarrjeve të Kuvendit për komisionet hetimore. Në këtë drejtim ajo ka theksuar se neni 77, pika 2, i Kushtetutës i njeh pakicës parlamentare kompetencë hetimi, pengimi i së cilës përbën konflikt kushtetues kompetencash. Vendimi i Kuvendit për mosmiratimin e kërkesës së një të katërtës së deputetëve për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar cenon këtë të drejtë kushtetuese të pakicës parlamentare. Situata të tilla, në vlerësimin e Gjykatës, shkaktojnë në realitet një mosmarrëveshje ndërmjet pakicës parlamentare (jo më pak se një e katërta e deputetëve), nga njëra anë, dhe Kuvendit, nga ana tjetër, për ushtrimin e së njëjtës kompetencë kushtetuese (shih vendimet nr. 57, datë 23.07.2015; 30, datë 16.05.2014; nr. 20, datë 04.05.2007 të Gjykatës Kushtetuese).
  7. Në çështjen konkrete, Gjykata vëren se kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor e depozituar në Kuvend është nënshkruar nga 39 deputetë. Referuar dokumenteve bashkëlidhur kërkesës, në Kuvend, gjatë seancës plenare të datës 14.10.2021, kanë votuar pro ngritjes së komisionit hetimor gjithsej 46 deputetë, ndërsa kërkesa për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave drejtuar Gjykatës është nënshkruar nga 36 deputetë, 5 nga të cilët nuk rezultojnë të kenë nënshkruar kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor. Pra, vetëm 31 nga 36 deputetë që i janë drejtuar Gjykatës rezultojnë të kenë nënshkruar edhe kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor. Në këtë situatë, edhe pse kërkesa drejtuar Gjykatës formalisht plotëson numrin e kërkuar nga neni 77, pika 2, i Kushtetutës (35 deputetë), lista nominale e deputetëve në të dyja kërkesat nuk përputhet.
  8. Në kushtet kur subjekti i interesuar, Kuvendi, në seancë plenare ngriti pretendime për legjitimimin formal të kërkuesit, Gjykata diskutoi nëse e drejta për t’iu drejtuar asaj për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave në lidhje me (mos) ngritjen e komisioneve hetimore i njihet nominalisht vetëm pakicës parlamentare së një të katërtës së deputetëve, që ka të drejtë të kërkojë ngritjen e komisioneve të tilla, sipas kuptimit të nenit 77, pika 2, të Kushtetutës, apo kjo e drejtë lidhet vetëm me numrin e deputetëve të kërkuar nga Kushtetuta për të vënë në lëvizje Gjykatën (35 deputetë), si dhe cili është momenti që pakica parlamentare konstituuohet në krahasim me nënshkrimin e kërkesës për ngritjen e komisionit, votimin në Kuvend të saj dhe paraqitjen e kërkesës në Gjykatë.
  9. Nga sa më lart, Gjykata, pasi mori në shqyrtim legjitimimin e një të katërtës së deputetëve që kanë vënë në lëvizje gjykimin kushtetues në raport me një të katërtën e deputetëve që kanë kërkuar ngritjen e komisionit hetimor në Kuvend, nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje, sipas nenit 133, pika 2, të Kushtetutës, të detajuar edhe në nenin 72, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000[1]. Për rrjedhojë, duke qenë se nuk u formua shumica prej 5 gjyqtarësh, në kuptim të nenit 73, pika 4, të ligjit nr. 8577/2000, kërkesa e një të katërtës së deputetëve konsiderohet e rrëzuar.

PËR KËTO ARSYE,

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 77, pika 2, të Kushtetutës, si dhe të neneve 72 dhe 73, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar,

V E N D O S I:

  • Rrëzimin e kërkesës.

Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Marrë më 28.03.2022

Shpallur më 12.04.2022

Votuan për legjitimimin e kërkuesit gjyqtarët Marsida Xhaferllari, Përparim Kalo dhe Sonila Bejtja.

Votuan kundër legjitimimit të kërkuesit gjyqtarët Vitore Tusha, Elsa Toska, Altin Binaj dhe Fiona Papajorgji.