Luleshtrydhet mbrojnë organizmin nga veprimi i radikaleve të lira të cilat shkaktojnë lloje të ndryshme sëmundjesh, parandalojnë sëmundjet kardiovaskulare, hidratojnë lëkurën, luftojnë kapsllëkun, përmirësojnë gjendjen e humorit, falë përmbajtjes së lartë të vitaminës C, por edhe përbërsve të tjerë si acidi folik, magnezi, kaliumi, vitamina B5 dhe B6 etj. Por përse t’i blini, kur mund t’i mbillni në ballkon pa bërë rrëmujë dhe harxhuar para. Living ka zgjidhjen e duhur për ju, ja si duhet të veproni:
Së pari, duhet që luleshtrydhet të jenë ruajtur në temperaturë frigoriferike për të paktën 10 ditë dhe jo t’i merrni direkt nga tregu e supermarketi dhe t’i mbillni. Merrni dy luleshtrydhe të pjekura mirë dhe pritni me kujdes pjesën e sipërme të tyre, ku edhe ndodhen farat. Nëse do të përdorni një vazo më të madhe se vazoja e videos së mëposhtme, ju këshillojmë të dyfishoni ose trefishoni sasinë e e tyre.
Më pas rreshtojini në vazo ashtu sikundër tregohet, nuk duhet t’i ngjeshni njëra mbi tjetrën, pasi në këtë mënyrë pengoni çeljen e filizave. Ujitini mirë e mirë, është e rëndësishme që gjatë gjithë kohëzgjatjes së procesit të mbjelljes të ketë lagështi. Mbështillni vazon me qese plastike dhe bëni disa vrima mbi të. Më pas vendoseni në një vend ku ka mjaftueshëm diell dhe lëreni të mbuluar për plot 15 ditë. Pasi të ketë kaluar kjo periudhë hiqni qeset dhe lërini filizat e sapoçelur të rriten në vazo edhe për 15 ditë të tjera. Kur kërcejt e tyre të arrijnë në nivelin e 10 centimetrave, hiqini me kujdes dhe mbillini në vazo të tjera ose në kopësht.