Kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta, kanë uruar shqiptarët për Pashkët.
Rama përmes një fotografie të postuar në faqen e tij në Facebook, është shprehur se Vigjilja e Pashkës është vigjilja e rilindjes së jetës.
“Vigjilja e Pashkëve është vigjilja e rilindjes së jetës, dashurisë dhe shpresës”, shkruan Rama bashkangjitur fotos së publikuar.
Nga ana tjetër Meta, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka shkruar se kjo festë u kujtonte të gjithë besimtarëve sakrificat e bëra nga Krishti për të gjithë njerëzimin.
Postimi i Plotë nga presidenti Ilir Meta:
Në vigjilje të Pashkës së Madhe u përcjell besimtarëve të krishterë katolikë e ungjillorë dhe të gjithë popullit shqiptar urimet më të përzemërta, për sa më shumë mbarësi, paqe, begati dhe lumturi në çdo familje!
Ngjallja e Krishtit, që kremtojmë së bashku, shpall fitoren e jetës mbi vdekjen, të dashurisë mbi urrejtjen dhe të shpresës mbi dëshpërimin.
Festa frymëzuese e Pashkës na fton për të mos harruar sakrificat e Krishtit për ne, për të dëshmuar me vepra shembullin e jetës së Tij, çdo ditë, duke qenë në shërbim dhe me përulësi pranë njerëzve në nevojë dhe për të mbajtur pranë zemrave tona këdo që vuan.
Misioni i Krishtit ishte të na mësojë dhe të na tregojë rrugën e dashurisë ngadhënjyese, për të mos u dorëzuar tek materializmi dhe konsumizmi.
Le të shërbejë ky shembull për të gjithë ne!
Për të ndërtuar një Shqipëri më të dashur dhe më të dhembshur, ku të ekzistojnë të gjitha hapësirat për një të ardhme të sigurt. Në këtë mënyrë do të ndalim shpopullimin dhe në veçanti largimin e të rinjve.
Sonte është koha për t’u gëzuar dhe për të falënderuar Zotin duke shpallur: KRISHTI U NGJALL! ME TË VËRTETË U NGJALL!
NGA MOT GËZUAR PASHKËN!/albeu.com/