Ali Ahmeti: Shqiptarët në Maqedoni janë element shtetformues

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në një intervistë për “Argument Plus” në RTV21 në Kosovë tha se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë element shtetformues. Ahmeti theksoi disa nga arritjet që janë bërë falë Marrëveshjes së Ohrit.

“Shqiptarët në Maqedoni janë element shtetformues dhe karakterin e shtetit e kanë ndryshuar me ndryshimet e Kushtetutës në vitin 2001 me Marrëveshjen Paqësore të Ohrit, ku shqiptarët kanë në përdorim të lirë flamurin e tyre kombëtar shqiptar, një kryetar komune nëse nuk e ka në përdorim në shtizë përpara flamurin dhe në tryezën e punës, dënimi, gjoba është 5.000 euro. Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare. Shqiptarët në Maqedoni kanë tre universitete, dy shtetërore dhe një privato-publik por me participim. Në Maqedoni deri në vitin 2001 kanë qenë 160 policë shqiptar, sot janë mbi 2500. Deri në 2001 kanë qenë 65 oficerë dhe nënoficerë, sot janë 2000 oficerë dhe nënoficerë. Do të thotë shqiptarët këtu nuk janë minoritarë, por shqiptarët janë element shtetformues”, tha mes tjerash Ahmeti.

Intervistën e plotë të kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti mund ta ndiqni sonte me fillim nga ora 21:30 në RTV21.


Shtuar 8.04.2022 15:59