Enkelejd Alibeaj mbledh sot Grupin Parlamentar, ftohen dhe të pezulluarit

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, autorizoi dje sekretarin e grupit të PD-së, Arbi Agalliun, që të njoftojë deputetët që sot, një orë para seancës plenare, në selinë e Partisë Demokratike, të mblidhet Grupi Parlamentar.

Mesazhi i kreut të grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj ka mbërritur edhe te 9 deputetë të PD të cilët pak muaj më parë u pezulluan për shkak të qëndrimeve të tyre, por jo tek deputetët e përjashtuar Sali Berisha, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho dhe Luan Baçi.

Por edhe për prezencën e të përjashtuarve në mbledhjen e kësaj të enjteje ka pasur negociata mes anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit dhe kreut të grupit parlamentar, Alibeaj. Sali Berisha zhvilloi mesditën e të mërkurës një takim me deputetët e PD që janë pjesë e Komisionit të Rithemelimit. Në fund të takimit siguroi se ai do të jetë pjesë e mbledhjes.

Kjo vendimmarrje e Sali Berishës për Gazment Bardhin është injorim i vendimmarrjeve dhe qëndrimeve të grupit parlamentar. Ai i ka kujtuar ish-kryeministrit vendimin për përjashtimin nga grupi parlamentar.

“Një parti ku nuk respektohet vullneti, qëndrimi dhe vlerësimi i Grupit Parlamentar është parti personale, por jo demokratike. Askush nuk duhet ti imponohet apo injorojë mendimin e Grupit Parlamentar, kjo është përdhosje e dinjitetit të çdo deputeti. Deputetët duhet të kenë të drejtë pa asnjë kompleks apo presion të bëjnë vlerësimin e tyre nëse një person i shpallur non grata nga SHBA duhet apo jo të jetë pjesë e grupit. Deri atëherë askush nuk mund të imponohet”

Dorëheqja e Lulzim Bashës nuk po i bashkon ende demokratët, të cilët provën e tyre të parë për të qenë bashkë do ta kenë mëngjesin e kësaj të enjteje.

Kriza në PD pasqyrohet dhe në seli. Zyrat po i nënshtrohen ndryshimeve.


Shtuar 31.03.2022 08:55