Sot Alqi Bllako dorëzon mandatin e deputetit, Pandeli Majko zë vendin e tij në Kuvend

Një ditë më parë, pasi SPAK kërkoi arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako për përfshirjen e tij në aferën e incenersatorëve, ky i fundit tha se do ta dorëzonte vetë sot mandatin e deputeti për t’u përballur me drejtësinë si një qytetar i thjeshtë.

Largimi i Alqi Ballkos pas kërkesës për arrestim, rikthen në Parlament Pandeli Majkon.

Ish-deputeti Majko nuk arriti të thyejë herësin duke qenë i renditur i 19-ti në listën e Qarkut Tiranës, e për pasojë mbeti jashtë politikës aktive.

Kodi Zgjedhor e parashikon se në momentin kur një deputet ose anëtar ndërpret mandatin, atëherë ky i fundit i kalon kandidatit që vijon në listën e së njëjtës parti në zonën zgjedhore përkatëse.

“Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse, përveçse kur plotësimi i vakancës me kandidatin e radhës ul përfaqësimin e gjinisë së nënpërfaqësuar. Në këtë rast plotësimi i vakancës bëhet nga kandidati i parë në listë i gjinisë së nënpërfaqësuar pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk zbatohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar”, thuhet në Kodin Zgjedhor./albeu.com


Shtuar 30.03.2022 10:02