Alfred Balla është zgjedhur kryetar i ri i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pas mbarimit të mandatit të Gent Ibrahimit më 19 dhjetori 2021. Balla, i cili ka qenë zv. kryetar është zgjedhur me 10 vota, në krye të këtij institucioni.
Kush është Alfred Balla
Alfred Balla është zgjedhur me vendimin Nr.19/2018, datë 08.02.2018 nga Kuvendi i R.Shqipërisë, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë si përfaqësues i Shoqërisë Civile. Balla ka përfunduar studimet e larta për drejtësi në vitin 1991 pranë “Universitetit të Tiranës”; studimet pasuniversitare, master shkencor në të drejtën penale në vitin 2012 pranë Universitetit “Justiniani I-rë” dhe mban titullin Doktor i Shkencave Juridike (e drejtë penale) nga viti 2020 pranë “Universitetit Europian të Tiranës”.
Në vitet 1991-1998 ka punuar në detyrën e Prokurorit të sektorit gjyqësor, Zv/Prokurorit të Rrethit dhe Prokurorit të Rrethit në prokuroritë Fier e Lushnje. Në vitet 1998-2003 dhe 2007-2012 ka ushtruar profesionin e lirë si avokat.
Në vitet 2003-2006 ka punuar pranë Këshillit të Ministrave si Inspektor në Departamentin e Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsionit. Në vitet 2012-2017 ka punuar në pozicionin si Këshilltar Ligjor pranë Gjykatës së Lartë.
Gjatë viteve të punës është angazhuar në organizma jo-qeveritare të shoqërisë civile me fokus drejtësinë penale dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut Balla ka kryer një sërë trajnimesh profesionale brenda dhe jashtë shtetit.
Ka ushtruar dhe ushtron aktualisht edhe detyrën e pedagogut të jashtëm pranë universiteteve të ndryshme në lëndët e drejtë zakonore, procedurë civile, e drejtë penale e posaçme dhe e përgjithshme, praktikë profesionale etj./albeu.com