Arrestimi i këngëtares për trafik droge, Paloka: Tani ta bëjë Elsa Lilën deputete ose ministre (FOTO LAJM)

Deputeti Edi Paloka ka reaguar pas lajmit të bujshëm për arrestimin e këngëtares së njohur Elsa Lila në Itali si pjesë e një grupi që trafikonte lëndë narkotike.

Përmes një postimi të bërë në Facebook, Paloka ironizon kryeministrin Edi Rama, teksa shprehet se tani mund ta propozojë këngëtaren për deputete të PS ose për ministre.

Paloka thotë se kur Lila ishte këngëtare e famshme dhe e dashur për publikun, Rama nuk e kandidoi për deputete edhe pse ajo u bashkua me Partinë Socialiste, asokohe në opozitë, kur hyri në grevën e urisë në Çadrën para Kryeministrisë.

Postimi i plotë i Palokës:

Kur Elsa ishte një këngëtare e famshme dhe e dashur për shqiptarët, Rama nuk e kandidoi për deputete edhe pse ajo në atë kohë u bë pjesë e grevës së urisë  në bulevard! Arsyeja? Nuk plotësonte kriterin kryesor të Ramës. Tani Elsa i plotëson të gjitha kriteret për të qenë jo vetëm deputete por dhe anëtare e kabinetit qeveritar me Ramën./albeu.com/