Presidenti Ilir Meta këtë të premte ka kujtuar 21-vjetorin e Çlirimit të Kosovës nga pushtuesit serbë.
Kreu i shtetit përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka publikuar pamjet e rralla të trupave të NATO-s, teksa ecin mes popullit kosovar, pas çlirimit, ndërsa thekson se ata e bënë çështjen e lirisë së Kosovës, çështje të dinjitetit të tyre.
“Kujtojmë me nderim të jashtëzakonshëm jetën dhe veprën lapidare të Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe Komandantit legjendar Adem Jashari, djemtë dhe vajzat e UÇK-së, si dhe dhjetëra e mijëra Heronj e Dëshmorë që dhanë jetën për Kosovën Republikë”, shkruan Meta.
Postimi i plotë
Sot, në 21-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, kujtojmë me nderim të jashtëzakonshëm jetën dhe veprën lapidare të Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe Komandantit legjendar Adem Jashari, djemtë dhe vajzat e UÇK-së, si dhe dhjetëra e mijëra Heronj e Dëshmorë që dhanë jetën për Kosovën Republikë, në paqe, të lirë, të pavarur, sovrane dhe demokratike, me orientim të qartë perëndimor, në bashkëpunim e fqinjësi të mirë me të gjithë në rajon.
Përjetë mirënjohës dhe falenderues për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara, që çështjen e lirisë së Kosovës, e bënë çështje të dinjitetit të tyre!
