Borussia e Dortmundit në festë për kapitenin e saj. Marco Reus është rikthyer në stërvitje pas plot 4 muajsh dhe mund t’i japë ndihmën e tij skuadrës verdhezi në 4 sfidat e fundit të Bundesligas.
Gjermani pësoi një dëmtim në muajin shkurt dhe pas rikthimit të Bundesligës (ndaloi për shkak të pandemisë Koronavirus) mungoi katër ndeshje. Reus ishte një mungesë e madhe edhe në klasiken e Gjermanisë kundër Bayern Munchen. Mungesa e kapitenit u ndje, pasi bavarezët triumfuan 0-1 në Signal Iduna Park, falë një goli nga Kimmich në fundin e pjesës së parë.
Në vitet e fundit karriera e Reus është cënuar shumë nga dëmtimet e shpeshta që e kanë lënë jashtë edhe nga disa kompeticione madhore me përfaqësuesen gjermane. Në këtë sezon të Bundesligas, kapiteni është aktivizuar në 19 takime me Dortmundin teksa ka realizuar dhe 11 gola.