Xhaçka: Janë 11 shqiptarë në Ukrainë pjesë e planit të evakuimit

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama dhe me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi, ka deklaruar se 11 shqiptarë në Ukrainë janë pjesë e planit të evakuimit

“ Ka një komunitet të vogël shqiptarësh në Ukrainë që kanë krijuar familje e janë martuar atje. Ka 11 shqiptarë të sekonduar në organizatën e OSBE që janë pjesë e planit të evakuimit. Ata janë gjithë mirë ne jemi në komunikim me ta, do kthehen në Shqipëri.

Me pjesën e diasporës kemi qenë në kontakt të vogël me ta, 5 ose 6 vetë që kanë kërkuar asistencë për të lëvizur. Ambasadat tona në Varshavë e Rumani janë të gatshëm për ti pritur”, tha Xhaçka.

Nërkohë, Rama bëri me dije se do të takojë homologun britanik, Boris Johnson në ditët e ardhshme.

Kreu i qeverisë thotë se pjesë e këtij diskutimi do të jetë situata në Ukrainë, teksa zbulon se dhe në ditët e mëparshme ka pasur kontakt me Johnson.

“Kjo është diçka që nuk ka ndodhur në Europë. Futja me ushtri në një shtet tjetër. Në një shtet tjetër sovran, prej shumë vitesh me institucione të zgjedhura. Shpresoj që me kryeministrin britanik do takohem në ditët e ardhshme, sepse do të shkojmë në Londër. Do diskutojmë për këtë megjithëse kemi qenë në kontakt në ditët e mëparshme”, tha Rama.


Shtuar 25.02.2022 20:09