Ndikimi i luftës Rusi – Ukrainë në tregun shqiptar, sa do të shkojnë çmimet e grurit dhe të naftës (FOTO LAJM)

Një valë e re çmimesh nga tregjet e huaja pritet të godasë edhe ekonominë shqiptare, nëse lufta Rusi -Ukraine do të zgjasë.

Rusia është një furnizues i madh i botës më lëndë të para, kryesisht grurë, naftë dhe metale. Sanksionet e dyanshme pritet të sjellin një rritje zinxhir në tregjet globale të mallrave duke bërë gjithçka edhe më të shtrenjtë, parashikojnë ekspertet ndërkombëtare.

Në luftën e sanksioneve të dyanshme Rusia do të përdore burimet e saj, grurin, gazin, naftën palladiumin (një lloj metali i ngjashëm me platinin që shërben si lëndë e parë për telefonat inteligjent etj).

Në Shqipëri kriza e fundit pritet të ndikojë negativisht vendin kryesisht në çmimet naftës dhe të drithërave. Importuesit e grurit shpjeguan se, rusët e përdoren për gjeopolitikë eksportin e grurit edhe gjatë pandemisë.

Gati gjysma e grurit vjen nga Rusia, e rëndësishme të sigurohet sasia

Rusia gjatë vitit 2020 vendosi kufizime te sasive, çka solli një rritje të shpejtë të çmimit në tregjet ndërkombëtare.

Çmimi i një toni grurë u rrit dje me 5 % brenda ditës në tregjet ndërkombëtare. Gëzim Pëshkëpia nga shoqata e Prodhuesve të Bukës dhe Brumërave tha se rritja e çmimeve të miellit dhe nënprodukteve të tij do të jetë e pashmangshme prej luftës. Sipas tij në këtë rast është më e rëndësishme të sigurohen sasitë e nevojshme të grurit, çmimi del në plan të dytë.

Importuesit pohuan dje se kanalet e furnizimit me Rusinë u bllokuan sapo filloi lufta por gjithçka do të varet nga dinamika e zhvillimit të ngjarjeve në ditët në vijim dhe se si do vijojë konflikti.

Çmimet e bukës dhe brumërave janë të ekspozuar direkt nga lufta. Rusia është furnizuesi më i madh në botë i grurit dhe, së bashku me Ukrainën, përbën gati një të katërtën e totalit të eksporteve globale. Sipas INSTAT, rreth gjysma e sasive vjetore të grurit (46%) që importon Shqipëria, vjen nga Rusia, ndërsa nga Ukraina erdhi 4% për vitin 2021.

Nafta mund të shkojë deri në 250 lekë

Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare dje shënoi nivelin e 105 dollarëve për fuçi me rritje 8 për qind brenda ditës. Parashikimet me optimiste janë që çmimi të arrijë në 135 dollarë deri në mes të marsit. Importuesit pohojnë se nëse kjo ndodh, është e pashmangsha rritja e tij drejt nivelit 250 lekë në vendin tonë.

Sakaq edhe pa këtë konflikt vendi po përballej me çmimeve më të larta të dekadës të krijuara nga vështirësitë që solli pandemia Covid -19. Në muajin janar importi i naftës në vlerë shënoi rritje 21 për qind, por kjo rritje i dedikohej tërësisht rritjes së çmimeve pasi importet në sasi shënua një rritje krejt modeste.

Analistët e tregjeve ndërkombëtare pohojnë se konflikti i armatosur Rusi-Ukraine do të ndikojë negativisht çmimet e mallrave në tregjet ndërkombëtare dhe do të mbajë investitorët nën stres, por efektet e saj do të jenë më të zbehta se ato të pandemisë Covid-19./Monitor


Shtuar 25.02.2022 07:40