Trajneri i parë i Brojës: Luante mesfushor, ju tregoj çfarë dënimi i jepja kur ishte 7 vjeç

Armand Broja në pak muaj ka fituar zemrat e tifozëve të Southampton. Golat e shënuar prej tij në kampionat janë gjashtë, por momentet e gëzimit që ai u jep fansave janë më të shumta. Sulmuesi ka spikatur me shpërthimet dhe shpejtësinë e tij dhe shpesh tenton ta zgjidhë gjithçka.

Këtë dëshirë e ka pasur që fëmijë, sikurse tregon për “The Athletic” ish-trajneri i Brojës te Burnham Junior, John McAteer. Atëherë ai ishte një djalosh 7 vjeçar. “Gjëja më e madhe që binte në sy te Armando ishte dëshira e tij për të fituar dhe sa konkurrues ishte”, nis rrëfimin e tij trajneri.

“Edhe në ndeshjet stërvitore, ai dëshironte të fitonte gjithmonë dhe finalizimi i tij, edhe si mesfushor qendre, ishte i pamëshirshëm. Ishte e qartë që herët a vonë ai do të lëvizte në një standard më të lartë, ndaj ne deshëm që ta zhvillonim në mënyrën e duhur.

Ai pranoi që duhej të luante me vetëm tre prekje, por nuk ishte gjithmonë i kënaqur me këtë kusht. Herë pas here, më duhej ta nxirrja nga loja për disa minuta që t’i përsëritja mesazhin”, tregon McAteer. Gjithsesi rregulli i pasimeve nuk mund të qëndronte në fuqi ndaj ekipeve të forta.

Një herë, pasi pjesa e parë e një ndeshjeje kishte përfunduar në barazim 1-1, tekniku tregon atë që i kishte thënë Brojës: “Ata ishin zakonisht më para nesh. Ishim barazim në pushimin e ndeshjes dhe unë i thashë Armandos: ‘Shiko, vetëm dil në fushë dhe bëj atë që dëshiron të bësh dhe na e fito këtë ndeshje’. Ai dribloi tre apo katër lojtarë kundërshtarë për të prodhuar një asist dhe më pas shënoi edhe vetë dhe fitoi ndeshjen për ne”.


Shtuar 20.02.2022 10:03

Tags: