Pique akuzohet se ka tradhtuar Messi-n

Largimi i Leo Messit nga Barcelona shkaktoi valë tronditëse në mbarë botën e futbollit, me shumë njerëz që pyesin se si klubi mund të kishte lënë që gjendja e tyre financiare të përkeqësohej deri në atë pikë sa duhej të lironte lojtarin e tyre më të mirë në botë.

Ndërsa presidenti Joan Laporta thuhet se ka bërë të pamundurën për ta mbajtur atë në Barcelonë, raportet në Spanjë kanë dalë se si një nga miqtë më të mirë të Messit, Gerard Pique, në fakt e këshilloi klubin që ta linte të largohej.

Sipas ‘El Pais’, kur Laporta po kërkonte mënyra për të mbajtur Messin, Pique rekomandoi largimin e tij për të balancuar librat.

Gazeta katalanase ‘Sport’, gjithashtu ndau këtë pikëpamje.

“Messi është lënduar nga disa nga shokët e tij të skuadrës sepse ai mendon se ata nuk e kanë mbështetur sa duhet”, tha drejtori sportiv Luis Mascaro. “Ai e di që Pique i tha Laportës se nëse Messi duhej të largohej, nuk do të ishte problem”./ h.ll/albeu.com


Shtuar 18.02.2022 16:58