Lojtarët e skuadrës së futbollit të Senegalit priten si heronj pas kthimit në shtëpi pasi fituan Kupën e Kombeve të Afrikës për herë të parë. Dhjetëra mijëra njerëz të entuziazmuar festuan kthimin e lojtarëve në Dakar, të ulur mbi makina dhe duke kërcyer në rrugët e kryeqytetit. Presidenti Meki Sall ishte mes atyre që përshëndetën ekipin në aeroport.
Kur trajneri Aliou Cisse ngriti kupën nga çatia e autobusit, turma brohoriti me kënaqësi. “Është një festë në rrugë. Unë nuk mendoj se Senegali ka parë ndonjëherë diçka të tillë,” tha Emeline Nsingi Nkosi e “BBC-së”. Festimet filluan menjëherë pas fishkëllimës së fundit të së dielës mbrëma, disa sekonda pasi Sadio Mane vulosi fitoren historike ndaj Egjiptit me penallti.
Njerëzit u derdhën në rrugët e Dakarit, duke kërcyer dhe duke gjuajtur fishekzjarre në ajër. Senegali shpalli datën 7 shkurt 2022 një festë kombëtare për të festuar fitoren e parë në Kupën e Kombeve të Afrikës raporton “BBC”. “Ne pritëm një kohë të gjatë. Kupa më në fund është këtu. Ne kishim vërtet nevojë për të,” i tha agjensisë së lajmeve “AFP” fansi i entuziazmuar Modou Ba.
Skena gëzimi pati edhe në kryeqytetin francez, Paris që është shtëpia e një komuniteti të madh senegalez. Mijëra mbështetës u mblodhën në Harkun e Triumfit. / h.ll/albeu.com